Për Xhaferin gjithçka që prek faqet e mbetura të njoma të djalit të tij Shyqriut është e tepërt. Ani pse pikat e ujit nuk janë gjë tjetër pos shiut që parakalon në fytyrën e gdhendur të djalit të tij 13-vjeçar, në pllakën e mermertë që gjendet mbi varrin e tij.

Familja Veliu rregullisht viziton varrin e Shyqriut 13 vjeç, i cili është një nga 35 fëmijët që ishin dërguar nga forcat serbe tek Xhamia e Qirezit në prillin e vitit 1999. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
“Gjithë kam mendu që kam me gjetë të gjallë”, janë fjalët e burrit i cili i ka kaluar të gjashtëdhjetat, e të plakur më tepër nga lodhja se rrudhat e moshës dhe plagët e marra në vitin 1999. Tri të tilla Xhaferi mban në trup. Dy në krahëror e një në këmbë, si nishan nga lufta e fundit në Kosovë.
18 vite më parë, më 30 prill 1999, Xhaferi dhe djali i tij Shyqriu do të dilnin nga shtëpia e tyre në fshatin Polac të Drenicës, në orët e hershme të mëngjesit, për të mos u kthyer më kurrë bashkë. Ditë të cilën Xhaferi e kujton edhe sot, me memorie të kthelljët, përkundër moshës e sëmundjes së tij.
Ofensivat në Drenicë kishin nisur në marsin e vitit 1999. Më 30 prill të po atij viti, Polaci, Verbovci, Prolluzha, Qirezi, Likoshani, Llamara, Rezalla e shumë fshatra të tjera përreth ishin rrethuar thuajse tërësisht nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe.
“…diku përmbi 12 mijë trupa [ushtarë] kanë qenë”, kujton Xhaferi. “Përmbi 10 mijë të strehuar kanë qenë në këto fshatra në atë kohë”.
Si plot burra e djem të rinj, të cilët ia mësynin që të iknin nga ushtria serbe, Xhaferi ia kishte mësyrë malit me të afërm, përfshirë Shyqriun.
“Nuk do të duhej kurrë ta lëshoja nga duart”, thotë e ëma Kumria me lotë pendimi në sy ngase nuk kishte arritur ta ndalonte djalin që t’i bashkohet babait të tij në rrugën drejt malit.

Kumrie Veliu asnjëherë nuk ia fali vetës faktin që nuk e ndaloi djalin e saj Shyqriun që t’i shkojë pas babait në rrugën drejt malit, ditën kur ishte zënë nga forcat serbe. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Por mali nuk ishte vendi ku ai do të humbte jetën. Qirezi do të ishte vendi i fundit ku Xhaferi do të shihej me djalin e tij Shyqriun. Aty forcat ushtarake dhe paramilitare serbe kishin grumbulluar afro 200 veta, kryesisht burra e djem nga fshatrat përreth. Rrugës për në Qirez, Xhaferi kujton se si ishte rrahur deri në vdekje komshiu i tij Agim Prokshi, duke lënë pas nipin po ashtu 13-vjeçar, Betimin, i cili ishte shok i Shyqriut. “Ai mbeti me mua dhe Shyqriun”, thotë Xhaferi.
Vendi ku Xhaferi u nda nga Shyqriu ishte Xhamia e Qirezit, rrënojat e së cilës ekzistojnë edhe sot e kësaj dite, ani pse ishte bombarduar nga ushtria serbe.
Tek xhamia e Qirezit, teksa bën me gisht, Xhaferi tregon vendet ku janë mbajtur peng një natë. Të nesërmen ai tregon se burrat ishin ndarë nga fëmijët dhe ishin bartur me kamiona në drejtime të panjohura për ta, e ku do të pushkatoheshin.
Aty, tek Xhamia e Qirezit, Xhaferi thotë të ketë dëgjuar dhe për herë të parë emrin e komandantit që kishte urdhëruar gjithë atë operacion në zonën e Drenicës. “Komando gjeneralno Ljubisha Dikoviq, e kam dëgju kthjellët kur kanë thënë se është me komandën e tij”, thotë ai.

Qindra shqiptarë të Kosovës, përfshirë Xhafer Veliun dhe djalin e tij Shyqriun, ishin grumbulluar te Xhamia e Qirezit përpara se të dërgoheshin në drejtime të ndryshme për t’u vrarë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Destinacioni i kamionit me të cilin bartej Xhaferi dhe grupi i tij prej 32 vetash ishte vendi i quajtur Shavarinat, në fshatin Çikatovë e Vjetër të Drenicës. Njëzet minuta, kujton ai, iu deshën ushtarakëve serbë që t’i pushkatojnë të gjithë burrat përveç atë dhe Bajram Shabanin, të cilët kishin arritur të iknin nëpër male, ani pse kishin pësuar plagosje nga plumbat që ishin gjuajtur në drejtim të tyre.
Kujtimet për krejt këto Xhaferi tashmë i ka të shkruara në një dorëshkrim të tij, të cilin mendon edhe ta publikojë në të ardhmen.
“Janë dëshmi, dhe dikush duhet të merret me to”, thotë burri që edhe sot e kësaj dite kërkon drejtësinë për djalin e tij të vrarë.
Trupi i tij ishte gjetur në vitin 2005, në varrezën masive te “Shavarinat” në Çikatovën e Vjetër, të rajonit të Drenicës, aty ku babai i tij Xhaferi i kishte shpëtuar vdekjes.

Betim Prokshi ishte një tjetër 13 vjeçar, mik i ngushtë i Shyqri Veliut, trupi i pajetë i të cilit ishte zhvarrosur nga varreza masive te Shavarinat. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
“E fundit që mundemi me ba është mos m’i harru”, thotë Xhaferi.
Qetësi, megjthatë, thotë të mos ketë gjetur as pranë eshtrave të djalit të tij të cilat aq shumë i kishte kërkuar nëpër varreza masive.
“Drejtësinë nuk po mundemi me gjetë hala”, thotë me një ofshamë të lehtë Xhaferi i cili, ushtrinë serbe të asaj kohe e quan ushtri të “tmerrit”.
Gjenerali i “ushtrisë së tmerrit”
Drejtësi për viktimat e luftës së fundit në Kosovë tash e sa vite e kërkon edhe njëra prej organizatave më aktive në Serbi dhe Kosovë – Fondi për të Drejtën Humanitare, të themeluar nga aktivistja për të drejtat e njeriut në Beograd, Natasha Kandiq, dhe me zyrë në Prishtinë të udhëhequr nga Bekim Blakaj.
Në vitin 2012 ky Fond kishte publikuar një dokument të titulluar “Dosje Ljubisha Dikoviq”. Fondi dokumentoi përgjegjësinë që kishte gjenerali Dikoviq për zonën e Drenicës si dhe krimet që janë kryer në kohën kur brigada e motorizuar “Brigada Nr. 37” ishte pozicionuar në Drenicë. Fondi akuzoi Dikoviqin direkt se nuk ka penguar krimet e rënda të luftës kundër civilëve në Kosovë, gjatë luftës 1998-1999.
Dikoviq i kishte hedhur poshtë në media këto akuza, duke i konsideruar si sulme mbi ushtrinë serbe, si dhe kishte paditur Natasha Kandiqin në mars të 2012-ës për dëmtim të reputacionit.
Në janar të vitit 2015 Fondi sërish del me një raport për varrezën masive në Rudnicë, afër Rashkës së Serbisë, dhe kazermes së brigadës së motorizuar nr. 37 të udhëhequr nga gjenerali Ljubisha Dikoviq. Në këtë raport Dikoviq dhe brigada e tij akuzohen të jetë përgjegjëse për bartjen e trupave të qindra civilëve të vrarë nga fshatrat e Drenicës, diku 57 nga të cilët ishin gjetur në atë varrezë masive, përfshirë disa civilë të pushkatuar në Çikatovën e Vjetër.

30 civilë ishin pushkatuar nga ushtarët që operonin nën komandën e gjeneralit serb Ljubisha Dikoviq tek vendi i quajtur “Shavarinat”’, në Çikatovën e Vjetër të Drenicës. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Menjëherë pas këtij publikimi, në shkurt të po atij viti shefi i tanishëm i stafit në Ushtrinë e Serbisë, gjenerali Ljubisha Dikoviq, kishte pranuar urdhrin “Hero Kombëtar” me vendim të Presidentit të atëhershëm serb Tomisllav Nikoliq, urdhrin më të lartë ushtarak të Serbisë.
Gjatë gjykimit, Natasha Kandiq pati deklaruar për media se Fondi ka dëshmi të cilat mbështetin pretendimet që Dikoviq ka qenë i përfshirë në krime të luftës.
Në maj të vitit 2015 ajo pati deklaruar se: “Dosja Dikoviq është e bazuar në disa korespodenca të zyrtarëve të ushtrisë serbe të cilët kanë qenë pjesë e brigadës së motorizuar nr. 37 [e komanduar nga Dikoviq], si dhe në deklarata të atyre që kanë mbijetuar dhe familjarëve të viktimave të vrarë gjatë bombardimeve të NATO-s, kur brigada e motorizuar nr. 37 kishte vënë nën kontrroll territorin e Gllogovcit dhe të Skënderajit në Kosovë [ku edhe janë kryer krimet e përmendura në raportin e FHD-së]”.
Por, në maj të atij viti gjykata serbe kishte vendosur që Kandiq t’i paguajë atij 4.500 euro si dëmshpërblim për dëmtim të reputacionit.
Heshtja e institucioneve të drejtësisë serbe karshi krimeve të shpërfaqura, të kryera nga ushtria serbe, e kishte bërë Fondin të reagojë edhe vite më pas. Më 21 shkurt të vitit 2017, FDH-ja publikoi edhe një dokumentar 23-minutësh, në të cilin sërish shfaqen krimet e brigadës së motorizuar Nr. 37 të Ljubisha Dikoviqit, respektivisht të dhënat nga hulumtimet e kryera nga FHD-ja gjatë punës e saj për dy dosjet “Ljubisha Dikoviq” dhe “Rudnica”, që u publikuan në vitin 2012, respektivisht 2015.
Në dokumentarin e publikuar pretendohet se rreth 1,400 civilë u vranë në vitin 1999 në zonën e Kosovës, e cila ishte nën kontrollin e Brigadës 37 të ushtrisë serbe, e cila në atë kohë drejtohej nga Ljubisha Dikoviq, i cili megjithatë gëzon një mbrojtje shtetërore për të gjitha akuzat me të cilat ngarkohet.



















