Pagesat me kartë po rriten me ritme të shpejta

Pagesat me kartë bankare regjistruan përsëri një rritje të fortë vitin e kaluar dhe prekën vlerat më të larta historike në numër dhe në vlerë transaksionesh.
Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2024, pagesat me kartë në terminalet POS (pikat elektronike të shitjes) arritën në pothuajse 19.6 milionë, me një rritje prej 35% krahasuar me një vit më parë.
Në krahasim me vitin 2020, periudhë pas së cilës nisi edhe cikli i rritjes së shpejtë të turizmit, numri i pagesave me kartë është rritur me 237%.
Në vlerë transaksionesh, pagesat me kartë vitin e kaluar arritën në 83.3 miliardë lekë, 30% më shumë krahasuar me vitin 2023 dhe 227% krahasuar me vitin 2020.
Për vitin 2024, volumi i pagesave në terminale POS përbënte 16% të vlerës totale të veprimeve me karta, nga 14.5% që kishte qenë pesha e këtyre veprimeve një vit më parë.
Pagesat me kartë në vitet e fundit janë nxitur sidomos nga shtimi i numrit të turistëve të huaj. Kërkesa nga turistët e huaj për të paguar me kartë ka shtyrë një numër më të madh biznesesh të pranojnë pagesa me këto instrumente.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave me kartë në fund të vitit të kaluar arriti shifrën rekord në 24 470, në rritje me 27.6% krahasuar me një vit më parë.
Ndërsa krahasuar me vitin 2020, numri i terminaleve POS është dyfishuar.
Megjithatë, depërtimi i POS-eve ngelet ende i ulët. Sipas INSTAT, vitin e kaluar, Shqipëria kishte afërsisht rreth 132 mijë biznese aktive (duke përjashtuar fermerët).
Mbi këtë numër, mund të llogaritet se numri i POS-eve ishte afërsisht sa 18.5% e numrit të bizneseve aktive.
Por, as kjo shifër nuk e tregon nivelin e depërtimit të POS-eve, sepse një pjesë e mirë e tyre është e përqendruar në kompanitë e mëdha të shitjes me pakicë, që kanë një rrjet të zgjeruar të dyqaneve.
Znj. Huta thotë se ka një përpjekje në rritje nga bankat për të shtuar numrin e pajisjeve POS, edhe në bashkëpunim me operatorët globalë, si Mastercard, që këtë vit po zhvillon një fushatë për këtë qëllim.

Lexo edheI dënuar nga GJKKO, kapet në Londër/ Ish-zyrtari i prokurimeve publike, Krenar Gozhina u prangos në Britaninë e Madhe
“Aty ku ne kemi mangësi të mëdha janë taksitë, ndërsa POS-et po shtohen në dyqane, hotele dhe restorante.
Fushata e ndërmarrë këtë vit në bashkëpunim me Mastercard po jep rezultate, ndërsa shpresojmë që vitin e ardhshëm, kësaj nisme t’i bashkohet edhe Visa.
Pra, duhet të bindemi se alternativa e duhur nuk është ATM-ja, por kalimi në pagesa elektronike. Këtu nuk luftojmë vetëm kostot, por njëkohësisht luftojmë edhe informalitetin, edhe ekonominë e cash”,- thotë ajo.
Vitin e kaluar, numri i kartave bankare aktive të lëshuara nga sektori bankar shqiptar arriti në 1.51 milionë, në rritje me 5.6% krahasuar me një vit më parë.
Numri i kartave të debitit arriti në 1.32 milionë, në rritje vjetore me 6.7%.
Ky produkt ngelet dominues dhe përbën pothuajse 88% të numrit të përgjithshëm të kartave bankare.
Karta e debitit është një instrument bazë pagese, i lidhur me llogaritë rrjedhëse të bizneseve dhe individëve.
Ndërkohë, vitin e kaluar u shënua rënie në segmentin e kartave të kreditit.
Në fund të vitit të kaluar, sektori bankar raportonte pak më shumë se 113 mijë karta krediti aktive, me një rënie vjetore prej 5.3%.
Megjithëse në ekonomitë e zhvilluara është një instrument shumë i përdorur prej dekadash, në Shqipëri shifrat tregojnë se karta e kreditit nuk ka arritur të fitojë një përdorim shumë të madh.
Depërtimi i dobët i këtij produkti mund të lidhet sidomos me faktin se ekonomia shqiptare ka një shkallë të lartë të përdorimit të parasë fizike si instrument për transaksionet ekonomike, ndërsa karta e kreditit është një instrument i lidhur kryesisht me pagesat jo cash./ Monitor














