Pagesa e lartë pë ri-kyçje me energji elektrike, përplas bordin e ZRRE-së me Kërçelin e VV-së

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka kërkuar sqarime nga anëtarët e Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), lidhur me tarifat që po u faturohen qytetarëve për energjinë elektrike, raporton IndesOnline.
Gjatë raportimit të Bordit të ZRRE-së para Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Kërçeli ka ngritur shqetësimin për pagesën prej rreth 11 eurosh në çdo faturë të energjisë elektrike, që sipas tij ndërlidhet me tejkalimin e planit të importit.
Ai ka pyetur përfaqësuesit e ZRRE-së se pse qytetarët duhet të bartin koston e një planifikimi jo të mirë të importit të energjisë.
“Neve na faturohen çdo muaj nga 11 euro në çdo faturë për një planifikim jo të mirë të ZRRE-së, e jo të qytetarëve. Pse duhet t’u faturohet kjo qytetarëve?”, ka pyetur Kërçeli.
Lexo edheGazmend Gjyshinca emërohet ambasador i Kosovës në Japoni
Deputeti ka ngritur gjithashtu çështjen e tarifës prej 34 eurosh për kyçjen e sërishme të energjisë elektrike, duke kërkuar të dijë pse konsumatorët duhet të paguajnë këtë shumë.
Ndërkaq, kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Driton Gojani, është përgjigjur lidhur me këtë çështje, duke thënë se të hyrat që operatori i siguron nga shërbimet e tilla, përfshirë riaktivizimin e kyçjes, i zbriten operatorit dhe i kthehen konsumatorëve.
Çështja e tarifave të energjisë elektrike dhe kostove që bartin konsumatorët ishte ndër temat e diskutuara gjatë mbledhjes së Komisionit Parlamentar për Ekonomi.





