Biznismeni i njohur kosovar, Behgjet Pacolli ka hasur në vështirësi të jashtëzakonshme kohët të fundit në lidhje me çështjen e aeroportit të Vlorës.
Fillimisht e humbi kontrollin e aeroportit, pas padisë së “2A Group” e drejtuar nga Valon Ademi, ish-ortakë i Pacollit, transmeton lajmi.net.
Pastaj, Kolegji civil i Gjykatës së Lartë vendosi të rrëzojë padinë e bërë nga shoqëria “2A Group” e drejtuar nga biznesmeni Valon Ademi.
E gjithë përplasja ka nisur muaj më parë. Ndonëse palët kishin firmosur një kontratë noteriale, ku pjesa e aksioneve të shoqërisë së Ademit shkonte nga 2 në 49 përqind, kontrata nuk ishte regjistruar në QKB. Sipas “2A Group”, ortaku “Mabco” “në fshehtësi, dhe pa vendim asambleje, vendosi veton që çdo kontratë pezullohej, dhe këtë vendim e regjistroi si “Mabco” e jo në fakt si “VIA”.
Në krejt këto përplasje të ndodhur, Pacolli ka reaguar me anë të një postimi të bërë në rrjetet sociale.
Ai ka thumbuar Ademin duke e quajtur “pseudomik”.
“Koha… Koha pra i fshin edhe zhurmat që të lenë pseudomiqtë që deri dje të admironin dhe të prezantonin gjithandej me krenari si “fytyrën e suksesit shqiptar në botë” dhe mandej për çmimin më të fundit në pazarin e interesave, janë gjithnjë të gatshëm të të ngulin thika pas shpine.”, u shpreh Pacolli ndër të tjera në postim.
Postimi i plotë:
Vitet me sa duket, të mësojnë se suksesi të sjell pranë shumë njerëz. Disa vijnë sepse besojnë tek ti. Disa sepse besojnë tek ajo që po ndërton. Disa të tjerë thjesht sepse shohin një mundësi. Dhe, me kalimin e kohës mëson të mos habitesh as nga afërsia e papritur, as nga largimet e papritura. As nga duartrokitjet, as nga kritikat. As nga besnikëria, as nga zhgënjimet. Sepse njeriu që ka jetuar mjaftueshëm e kupton se karakteri i vërtetë i njerëzve nuk zbulohet vetëm në ditët e vështira. Shpesh zbulohet pikërisht kur përballë tyre shfaqen interesat.
Kam parë miqësi të lindura nga bindja dhe të tjera të lindura nga leverdia. Kam parë njerëz që kanë ecur pranë meje për vite, miq në tryezën time dhe në zemrën time, si dhe kam parë njerëz që kanë zgjedhur rrugë të tjera kur kanë menduar se aty gjendej një përfitim më i madh.
Nuk mbaj asnjë peng në zemër për askënd. Pasiqë jeta më ka mësuar se secili bën zgjedhjet e veta dhe secili mban mbi supe pasojat e tyre. Ajo që kam kuptuar është se energjia nuk duhet shpenzuar duke numëruar zhgënjimet. Duhet investuar duke ndërtuar.
Projektet e mëdha nuk realizohen nga emocionet e momentit. Nuk realizohen nga debatet, intrigat apo interesat e vogla e më siguri ato nuk realizohën nese ato i trajton si mundesi pasurimi të menjëhershem. Ato realizohen nga këmbëngulja, sinqeriteti, puna dhe besimi afatgjatë. Për këtë arsye, sot më shumë se kurrë, zgjedh të shoh përpara.
Sepse gjithsesi, koha është gjykatësi më i drejtë që kam njohur ndonjëherë. Ajo nuk mban anë. Nuk ndikohet nga zhurma. Nuk ndikohet nga interesat. Ajo thjesht vendos secilin aty ku e ka vendin.
Koha… Koha pra i fshin edhe zhurmat që të lenë pseudomiqtë që deri dje të admironin dhe të prezantonin gjithandej me krenari si “fytyrën e suksesit shqiptar në botë” dhe mandej për çmimin më të fundit në pazarin e interesave, janë gjithnjë të gatshëm të të ngulin thika pas shpine. Por këto plagë sado të thella të bëhen, nuk mund të mbeten mbi mua më tepër se vepra dhe puna. Dhe kur kalojnë vitet, më besoni, nuk mbeten fjalët që janë thënë, as debatet që janë bërë e as intrigat. Mbeten vetëm veprat. Dhe gjurma që secili ka lënë pas vetes./lajmi.net/