back to top
Saturday, September 13, 2025
BallinaLajmePacolli në takim me Petroviqin

Pacolli në takim me Petroviqin

Të ngjajshme

Përderisa, kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, z. Adem Mikullovci, i cili vjen nga radhët e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje, pret nga përfaqësuesit e partive politike të japin propozime për ta zgjidhur çështjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, cështje kjo e cila ka bllokuar zgjedhjen e institucioneve te reja të vendit, edhe më tutje janë duke u zhvilluar takime konfedenciale, mes partive politike të opozitës, nëse ndonjëra prej tyre do t’i bashkëngjitet partive fituese në zgjedhjet e fundit, dhe deputetëve që tashmë kanë siguruar ulësen në institucionin më ta lartë legjislativë të shtetit të Kosovës.

Disa deputete që tashmë janë pjesë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kanë filluar ‘gjahun’ në mënyrë të fshehtë , që t’i bashkëngjiten ndonjë partie politike, në mënyrë që edhe ata të jenë pjesë e Qeverisë së Re, raporton kosova.info.

Edhe kësaj radhe, sipas burimeve të kosova.info, është pikërisht kreu i Aleancës Kosova e Re, z. Behgjet Pacolli, i cili të premten e kaluar , në shtëpinë e tij, ka pritur në takim deputetin serb, z. Sllobodan Petroviq, ku temë diskutimi ka qenë bashkëpunimi mes tyre.

Burimet e Kosova.info, bëjnë të ditur se në shtëpinë e z. Pacolli i pranishëm ka qenë edhe z. Rrahim Pacolli, drejtor i kompanisë së sigurimeve “Siguria”, por ky i fundit nuk ka qëndruar gjatë takimit kokë me kokë mes z. Pacollit dhe z. Petroviq, pasi që prezencën e tij nuk e ka lejuar i zoti i shtëpisë z. Behgjet Pacolli.

Në pyetjen drejtuar nga Kosova.info, për z. Sllobodan Petroviq, se a është takuar me z. Pacolli në shtëpinë e tij, të premten për mundësinë që edhe ai të jetë pjesë e ‘pazareve politike’, për krijimin e institucioneve të reja, ai nuk është përgjigjur.

Përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të Kosova.info që të kontaktojmë me z. Petroviq dhe të marrim një përgjigje sa i përket qëllimit të takimit me z. Pacolli, kjo ka qenë e pamundur, pasi që gjatë tërë ditës, z. Petroviq nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike e as mesazheve.

Por, hiq më larg se këtë ditë, pra të premten e kaluar, z. Pacolli në shtëpinë e tij, ka qenë po ashtu nikoqirë i Mimoza Kusari-Lila, kryetare e Alternativës, e cila ka kërkuar që nëse z. Pacolli vendos që t’i bashkëngjitet koalicionit PAN, për krijimin e institucioneve të reja, edhe ajo të jetë pjesë e ‘pazareve politike’.

Vizitat e këtyre deputetëve që tashmë kanë siguruar ulësen në Kuvendin e Kosovës, ka ardhur për shkak se kohëve të fundit në media është raportuar se kreu i Aleancës Kosova e Re, z.Behgjet Pacolli, është në konsultimeve më koalicionin PAN, që partia e tij të jetë pjesë e krijimit të Qeverisë së re. Por , deri më tani, z. Pacolli, e ka mohuar një gjë të tillë, duke theksuar se AKR nuk ka asnjë marrëveshje me koalicionin PAN, dhe se zgjidhjen e situatës bllokues e sheh në krijimin e një Qeverie gjithëpërfshirëse.

Në pyetjen drejtuar znj. Mimoza Kusari-Lila, nga kosova.info, se a është takuar me z. Pacolli në shtëpinë e tij, të premten për mundësinë që edhe ajo të jetë pjesë e ‘pazareve politike’, për krijimin e institucioneve të reja, ajo e ka mohuar një takim të tillë.

“Nuk është e vërtetë se jam takuar me z. Pacolli”, i është përgjigjur për kosova.info, znj Kusari-Lila.

Megjithatë, burime të Kosova.info, bëjnë të ditur se znj. Kusari-Lila, po atë ditë fillimisht, para takimit me z. Pacolli, ka takuar zyrtarë të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, dhe pas këtij takimi, ajo është takuar më z. Pacolli.

Në këtë takim, znj. Kusari-Lila, sipas burimeve, i ka kërkuar z.Pacollit që nëse ai do të jetë pjesë e ekzekutivit , ajo të udhëheq me Ministrinë e Financave.

Ndërkaq, kreu i AKR-së, z. Behgjet Pacolli, nuk është përgjigjur në pyetjen e parashtruar nga kosova.info, se a është takuar me znj. Kusari-Lila.

Po ashtu, z. Pacolli me gjithë përpjekjet e Kosova.info, që të marrë ndonjë përgjigje për takimet e tij me deputetët e lartpërmendur, të premten e kaluar në shtëpinë e tij, deri më tani ai nuk është përgjigjur fare dhe se kontakti me të ka qenë i pamundur.

Edhe pse kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, z. Adem Mikullovci, ka caktuar një takim konsultativ midis partive politike për të mërkurën, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, është një hap drejt zhbllokimit të situatës së krijuar në Kuvendin e Kosovës, gjatë një seance kaotike të mbajtur më 3 gusht.

“Koalicioni PAN dhe përfaqësuesi i tyre z.Enver Hoxhaj, kanë kërkuar këtë takim dhe ne do të shohim se pse është kërkuar ky takim. Janë kërkuar 6 ditë për konsultime dhe nesër (të mërkurën), pres të me tregojnë se pse i kanë kërkuar këto ditë, përderisa të enjten është vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku në rend të ditës është zgjedhja e kryetarit të këtij institucioni”, ka thënë Mikullovci.

Deri më tani,kryetari i deritashëm i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili është edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, konsiderohet i papranueshëm që të zgjidhet sërish kryetar i Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja.

Ndërkohë që kryesuesi i Kuvendit, Adem Mikullovci, seancën e radhës e ka thirrur për të enjten. kundërshti kanë pasur koalicioni PAN, të cilët janë deklaruar se Mikullovci po vepron në mënyrë arbitrare.

Në anën tjetër, numri dy i Partisë Demokratike të Kosovës, z. Enver Hoxhaj, pas takimit të kryesisë së subjektit partiak të tij, ka konfirmuar edhe njëherë se nga PDK si pjesë e koalicionit PAN, kandidat i vetëm për Kryetar të Kuvendit të Kosovës, është Kadri Veseli.

Kurse, sa i përket vendimit për pjesëmarrje të PDK-së apo jo, në seancën e radhës konstituive të thirrur nga Adem Mikullovci, për të enjten, z. Hoxhaj ka theksuar se kjo do të bëhet e ditur nesër.

Megjithatë, z. Avdullah Hoti, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, dhe kandidat për kryeministër nga radhët e koalicionit LAA, ka deklaruar për media se PDK e PAN në përgjithësi, nuk i kanë shumicën e votave.

‘’Qëndrimi i Koalicionit të LDK-së është i qartë. Zgjedhjet e fundit kanë prodhuar një rezultat, ku PDK nuk dhe PAN në përgjithësi mund të bëjë shumicën parlamentare“, ka thënë Hoti, duke shtuar se LDK nuk do të bëjë koalicion me PDK-në, e as Vetëvendosjen, pavarësisht se kjo e fundit haptas e ka ftuar për koalicion LDK-në.

Në ndërkohë, z. Hoti është shprehur se do të punojnë shumë, për ta bërë shumicën e nevojshme, në mënyrë që me vendin të udhëheqë koalicioni LAA.

Përndryshe, kanë kaluar pothuajse dy muajsh që prej mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, kur Kuvendi i Republikës së Kosovës ka nisur më 3 gusht seancën konstituive.

Por, në mungesë të deputetëve të koalicionit PAN, është shtyrë konstituimi i Kuvendit, pasi në seance nuk janë paraqitur deputetët e këtij koalicioni.

Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, është e domosdoshme për vazhdimin e procedurave tjera të konstituimit të Kuvendit dhe për fillimin e fazës për formimin e Qeverisë së re.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz