HomeLajmeOBM paralajmëron rikthimin e fenomenit klimatik “El Nino”: Bota mund të përballet...

OBM paralajmëron rikthimin e fenomenit klimatik “El Nino”: Bota mund të përballet me valë të reja të nxehti dhe mot ekstrem

Të ngjajshme

Organizata Botërore Meteorologjike (OBM) ka ngritur alarmin për mundësinë e rikthimit të fenomenit klimatik El Nino gjatë javëve të ardhshme, duke paralajmëruar se ai mund të forcohet ndjeshëm deri në fund të vitit 2026.

Sipas ekspertëve, zhvillimi i një episodi të ri të El Nino-s mund të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e temperaturave globale, në një kohë kur planeti po përballet tashmë me efektet e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, transmeton lajmi.net.

Meteorologët vlerësojnë se ndërthurja e ngrohjes globale me një El Nino të fuqishëm mund të prodhojë fenomene ekstreme të motit në shumë pjesë të botës. Valët e të nxehtit pritet të bëhen më intensive dhe më të shpeshta, ndërsa disa rajone mund të përballen me thatësira të gjata, e të tjera me reshje të dendura dhe përmbytje.

Disa agjenci kombëtare të motit kanë paralajmëruar se ekziston mundësia që ky episod të shndërrohet në një nga më të fuqishmit e regjistruar ndonjëherë, duke marrë karakteristikat e një “super El Nino”.

Ekspertët po monitorojnë me kujdes zhvillimet në Oqeanin Paqësor, pasi ndryshimet e temperaturës së ujërave në këtë rajon luajnë rol kyç në formimin dhe intensitetin e fenomenit.

El Nino është një dukuri natyrore klimatike që shfaqet periodikisht si rezultat i ngrohjes së pazakontë të ujërave sipërfaqësore në pjesën qendrore dhe lindore të Oqeanit Paqësor. Ky proces ndikon në qarkullimin atmosferik dhe mund të ndryshojë ndjeshëm modelet e motit në nivel global.

Historikisht, episodet e forta të El Nino-s janë shoqëruar me temperatura rekord, zjarre pyjore, stuhi të fuqishme, reshje ekstreme dhe pasoja të mëdha ekonomike e mjedisore.

Për këtë arsye, organizatat ndërkombëtare dhe qendrat meteorologjike po ndjekin nga afër zhvillimet e fundit, ndërsa muajt në vijim konsiderohen vendimtarë për të kuptuar shkallën e ndikimit që mund të ketë fenomeni i ri në klimën globale./lajmi.net/

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz