Sot u panë bashkë në një konferencë dhe shumë të afërt.
Por saktësisht një vit më parë Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri kishin drejtuar akuza të rënda ndaj njëri-tjetrit për ndarje të shtetit.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haziri, e kishte kritikuar bashkëpartiaken e tij, Osmanin, në lidhje me çështjen e korrigjimit të kufijve sa i përket Luginës së Preshevës.
Në një status të tij të publikuar, Haziri iu ishte drejtuar Osmanit me fjalët “Nuse e Preshevës” dhe se sipas tij ajo po “shet mend për vota”, njofton Klan Kosova.
“Nuk po çuditna me Armend Zemajn e Haxhi Avdylin, por po çuditna me këtë nusen e Preshevës, vendlindjes së Idriz Seferit, e cila po shet men te Boletini i Kosovës, tue harrue vendlindjen e kolosit të Karadakut që sot gjendet në Serbi”.
“Po i kallxoj asaj dhe krejt atyne që ‘shesin men’ për vota se qysh e kam pru simbolikisht Idriz Seferin n’Gilan, kam me e pru edhe vendlindjen e tij në Kosovë, Preshevën. Kam me e pru edhe Bujanocin, edhe Medvegjën, edhe autostradën, e edhe hekurudhën”.
“Kosova Lindore ka me qenë Kosovë. Tash asht koha. E kemi amanet me e ba të mundun. Kush e konteston këtë fakt, fort marre duhet me i ardhë!”
Reagimi i Osmanit për këtë çështje ishte i menjëhershëm në profilin e saj në Facebook.
“Para se të jem nuse e Preshevës, unë jam bijë e Mitrovicës. Atyre që i bëjnë argat idesë së ndarjes do u thosha marre ju koftë, por kurrë në jetën e tyre s’kanë pasur as marre e as fytyrë”.
“Askush s’ka çka çuditet nga qëndrimet e mia, sepse ato janë qëndrime të LDK-së, të mbrojtjes së integritetit territorial, kushtetutës e deklaratës së pavarësisë dhe paqes dhe sigurisë në rajon, e të vulosura në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”.
“Këto qëndrime nuk janë vetëm te miat, Armend Zemajt e Haxhi Avdylit, por janë të Kryesisë së LDK-së, degëve të LDK dhe gjithë Grupit Parlamentar te LDK-se. Por mbi te gjitha janë qëndrime që mbrojnë shqiptaret e Luginës nga gënjeshtrat e mashtrimet tuaja e te Hashimit”.
“Qytetaret e Presheves, Medvegjes e Bujanocit nuk perbijne me dot kurthe qe ju dhe Thaci ua servoni, nuk lejojne qe dinjiteti i tyre te perdoret per perfitime tuajat. Per fund, ju pershendes me keto fjale te heroit Isa Boletini nga viti 1901”.
Por duket se tashmë dyshja e LDK-së kanë lënë gjithçka mbrapa – kushtu së paku tha sot Vjosa Osmani, kandidatja për kryeministre e kësaj partie.
“Unë jam krenare që jam nuse e Preshevës, jam poashtu krenare që gjatë gjithë verës jetoj në komunën e Gjilanit që udhëhiqet nga kryetari Lutfi Haziri. Të gjitha barriet e komunikimit që i kemi pasur janë tejkaluar dhe nuk do të lejojmë asesi që ato të ndodhin sërish”.
Haziri i dha mbështetjen e plotë, dukë thënë se ajo nuk do të jetë vetëm kandidatja për kryeministre, por edhe kryeministrja e ardhshme e Kosovës.