Gërxhaliu: Inflacioni po rëndon jetesën e qytetarëve, të veprojnë institucionet

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka kërkuar veprime dhe masa konktrete nga institucionet e vendit, pas rritjes së inflacionit.
Ai ka thënë se një situatë e tillë ka rënduar jetën e qytetarëve, derisa sipas tij, rritja e çmimeve gjithnjë e më shumë po ndikon në mirëqenien e tyre.
Kur çmimet rriten, sipas tij, fuqia blerëse e familjeve dobësohet, pasojat nuk janë vetëm ekonomike, por edhe sociale.
Postimi i plotë:
Inflacioni po rëndon qytetarët, ndërsa qeveria duhet të veprojë me masa konkrete
Rritja e çmimeve dhe shtrenjtimi i kostos së jetesës po e vështirësojnë gjithnjë e më shumë jetën e qytetarëve të Kosovës. Kur çmimet rriten, ndërsa fuqia blerëse e familjeve dobësohet, pasojat nuk janë vetëm ekonomike, por edhe sociale.
Përballë një rritjeje të raportuar të çmimeve prej 7,8 për qind, qytetarët po detyrohen të rishikojnë buxhetet familjare, të kufizojnë shpenzimet dhe të heqin dorë edhe nga nevoja që dikur ishin të përballueshme. Në veçanti, shtrenjtimi i ushqimeve, energjisë dhe transportit po rëndon familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Lexo edheBesnik Tahiri: 65 ligje për më pak se tre muaj, por ku është vizioni i Qeverisë?
Megjithatë, përballimi i inflacionit nuk mund të mbetet vetëm përgjegjësi e qytetarëve. Kursimi, planifikimi i shpenzimeve dhe krahasimi i çmimeve janë hapa të domosdoshëm për familjet, por nuk mund ta zëvendësojnë përgjegjësinë e institucioneve për të krijuar politika që mbrojnë standardin jetësor.
Kosova, ndonëse përdor euron dhe nuk ka politikë monetare të pavarur, ka në dispozicion instrumente fiskale dhe rregullatore për të zbutur pasojat e shtrenjtimit. Ulja e përkohshme e TVSH-së për produktet bazë, mbështetja financiare për familjet në nevojë, lehtësimi i kostos së energjisë dhe kontrolli më i rreptë i tregut janë disa nga masat që duhet të shqyrtohen seriozisht.
Po aq e rëndësishme është mbështetja e prodhimit vendor. Pa investime në bujqësi, industri dhe ndërmarrësi, Kosova do të vazhdojë të mbetet e varur nga importet dhe luhatjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Prodhimi vendor nuk është vetëm çështje ekonomike, por edhe çështje e sigurisë dhe e qëndrueshmërisë së vendit.
Në këtë drejtim, Qeveria duhet të veprojë me masa të targetuara, transparente dhe të përkohshme aty ku është e nevojshme, duke shmangur ndërhyrjet që mund të krijojnë çrregullime në treg. Çdo ulje tatimore duhet të shoqërohet me mekanizma që sigurojnë se përfitimi arrin te konsumatori, ndërsa kontrollet duhet të parandalojnë abuzimet dhe manipulimet me çmime.
Inflacioni nuk luftohet me deklarata, por me politika të përgjegjshme dhe rezultate të matshme. Qytetarët nuk kanë nevojë vetëm për statistika ekonomike; ata kanë nevojë që pagat dhe të ardhurat e tyre të mjaftojnë për ushqim, energji, transport dhe një jetë dinjitoze.
Sfida e institucioneve nuk është vetëm të menaxhojnë shifrat e ekonomisë, por të mbrojnë mirëqenien e qytetarëve. Sepse zhvillimi ekonomik ka kuptim vetëm atëherë kur përkthehet në një jetë më të mirë për njerëzit.












