Nga pritja për babanë te balli i protestave, Deliu-Kodra për Çlirim Hazirin: Kosova qëndron me ty

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka shkruar për Çlirim Hazirin, djalin e veprimtarit të zhdukur Xhavit Haziri, i cili prej disa ditësh është i angazhuar në organizimin e protestave në Prishtinë kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Përmes një postimi në Facebook, Deliu-Kodra ka thënë se, ndonëse Çlirimi vazhdon të presë një lajm për fatin e babait të tij, ai po qëndron në shesh duke kërkuar drejtësi.
“Ai e di çfarë do të thotë të presësh. Çlirim Haziri është rritur duke pritur një lajm për babanë e tij, veprimtarin e zhdukur Xhavit Haziri. Megjithatë, sot nuk e gjejmë të mbyllur në dhimbje, por në shesh, në ballë të kërkesës për drejtësi”, ka shkruar ajo.
Deliu-Kodra e ka cilësuar Çlirimin si “ikonë të protestave”, duke thënë se qëndrimi i tij, sipas saj, përcjell një mesazh për këmbëngulje dhe shpresë.

Lexo edheVritet një person në Sarandë, plagoset edhe një kalimtar
“Me këmbënguljen e tij na zgjon ndërgjegjen. Me praninë e tij na kujton se dorëzimi nuk është zgjedhje. Çlirimi është bërë ikonë e protestave tona sepse ai nuk flet vetëm për dhimbjen e vet. Ai mishëron pritjen dhe shpresën e një populli të tërë. Qëndro i fortë, Çlirim! Kosova qëndron me ty!”, ka shkruar Deliu-Kodra. /Lajmi.net/












