Pesë xhiro nga fundi i sezonit në Bundesliga 2, Elversberg po mban gjallë ëndrrën për promovim në elitën gjermane – falë kontributit të jashtëzakonshëm të Fisnik Asllanit.
Sulmuesi 22-vjeçar kosovar ka qenë vendimtar për skuadrën këtë edicion, dhe fundjava e kaluar e konfirmoi edhe një herë këtë.
Në përballjen ndaj Hannoverit, Asllani realizoi het-trikun e tij të parë në Bundesliga 2, duke i siguruar Elversbergut një fitore të rëndësishme 3-1. Ai shënoi të tre golat e skuadrës në ndeshjen që e mbajti ekipin në garë për një vend në Bundesligë.
Trajneri i Hannoverit, Andre Breitenreiter, para ndeshjes i kishte vlerësuar Asllanin dhe bashkëlojtarin e tij Muhammed Damar si futbollistë që mund të bëjnë dallimin – dhe Asllani i dëshmoi fjalët e tij në fushë.
Pas kësaj ndeshjeje, Asllani ka arritur në kuotën e 17 golave këtë edicion dhe aktualisht është golashënuesi i dytë më i mirë i kampionatit, vetëm dy gola prapa Davie Selkes së Hamburgut, shkruan faqja zyrtare e Bundesligës.
Por ndryshe nga Selke, golat e Asllanit kanë qenë vendimtarë për rezultatin.
Elversberg mban vendin e tretë në tabelë me 47 pikë, vetëm pesë më pak se lideri Hamburg dhe katër më pak se Kolni në vend të dytë.
Sipas formatit të kampionatit, dy vendet e para sigurojnë ngjitje direkte në Bundesligë, ndërsa skuadra e tretë luan ndeshje barazhi për promovim.
Pavarësisht se si do të përfundojë sezoni për Elversbergun, duket gjithnjë e më e sigurt që Fisnik Asllani do ta shohë veten në Bundesliga sezonin tjetër.
Ai është i huazuar nga Hoffenheimi dhe pritet që klubi të rikthejë sulmuesin në ekip për sezonin e ardhshëm, duke parë rritjen e tij të shpejtë dhe ndikimin që ka në fushë.
E njëjta gjë vlen edhe për Muhammed Damar, i cili po ashtu është në huazim nga Hoffenheim. Për momentin, Elversbergu po përfiton maksimalisht nga kjo dyshe e talentuar.
Sfida e radhës për Asllanin do të jetë të premten, kur skuadra e tij përballet me Fortuna Dusseldorfin në derbin e xhiros së 30-të të sezonit – një tjetër mundësi që kosovari të shtojë emrin e tij në listën e golashënuesve dhe të ndihmojë ekipin në rrugën drejt Bundesligës. /Telegrafi/