Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se, bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave për ditën e nesërme, do të vendoset kufizim i përkohshëm i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.
Sipas njoftimit të ministrisë, kufizimi do të vlejë vetëm në autoudhë dhe do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30.
“Në AUTOUDHË, kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperatura e parashikuar plotëson kushtin prej 32°C ose më shumë”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, qarkullimi i këtyre automjeteve do të lejohet pa kufizime.
“Në rrugët NACIONALE, RAJONALE dhe LIDHËSE, qarkullimi lejohet pa kufizime”, njoftoi ministria.
Nga ky kufizim do të përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.
Ministria u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe ngasësve që ta respektojnë masën dhe ta planifikojnë qarkullimin në përputhje me orarin e përcaktuar.
“Lusim operatorët dhe ngasësit që të respektojnë kufizimin dhe të planifikojnë qarkullimin në përputhje me orarin e përcaktuar”, thuhet në fund të njoftimit. /Lajmi.net/