Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se Qeveria e Kosovës prej marrjes së mandatit i ka sjell shuam të mira vendit.
Ai në foltoren e Kuvendit, para se të hidhet në votim mocioni, ka thënë se kanë arritur që ta anëtarësojnë vendin në shumë organizata ndërkombëtare, njofton Klan Kosova.
“Reformat janë bërë shumë mirë. Rritja ekonomike arrin në katër për qind. Ne kemi trashëguar borxhe të paparaqitura në buxhet, në shumë prej 140 milionë. Kemi kryer ato borxhe dhe kemi rritur buxhetin për 400 milionë”, ka thënë Mustafa.
“U kemi falur qytetarëve 400 milionë si borxhe të vjetra, edhe përkundër kësaj kemi arritur ta rrisim buxhetin. 700 milionë euro janë investimet kapitale”, ka thënë Mustafa.
“E gjithë kjo flet për kredibilitetin e kësaj Qeverie, sepse askush nuk bën marrëveshje me një qeveri jostabile.”, ka shtuar ai duke përmendur marrëveshjet me qeveritë e vendeve të fuqishme evropiane.
“Kjo qeveri ka kthyer timonin prej Turqisë drejt vendeve të Perëndimit”.
Mustafa më tej ka thënë se gjatë qeverisjes së tij deri sot, është bërë katërfishimi i bizneseve me pronarë të huaj dhe dyfishimin e bizneseve të drejtuara nga gratë.
“Rritja e investimeve private ka gjeneruar 41 mijë vende punë në këto dy vite”, ka shtuar ai.