“Kërkuan uljen e dënimit” – PDK reagon pas këtij raportimi të RTK-së: Fyes, shtrembërim me prapavijë politike

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj një kronike të transmetuar në edicionin qendror të lajmeve të RTK-së, duke e cilësuar të pavërtetë dhe fyese mënyrën se si, sipas saj, është paraqitur qëndrimi i PDK-së lidhur me procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara.
Sipas PDK-së, RTK-ja ka raportuar se “PDK-ja ka kërkuar uljen e dënimit të ish-krerëve të UÇK-së”.
Në reagim, PDK thotë se raportimi se partia kërkon “uljen e dënimeve për krerët e UÇK-së” e shtrembëron qëndrimin e saj.
“PDK e ka kundërshtuar aktgjykimin e shkallës së parë dhe kërkon lirimin e plotë të çlirimtarëve”, thuhet në reagimin e partisë. /Gazeta Express
Komunikata e plotë:
Reagim i Partisë Demokratike të Kosovës ndaj kronikës së RTK-së
27 shtator – Partia Demokratike e Kosovës e cilëson të pavërtetë dhe fyes raportimin e RTK-së në edicionin qëndror të lajmeve se PDK kërkon “uljen e dënimeve për krerët e UÇK-së”. Ky formulim e shtrembëron qëndrimin tonë qëllimshëm.

Lexo edheGjini: Nënë Ferdonija tregon të vërtetën e pastër të popullit tonë
PDK e ka kundërshtuar aktgjykimin e shkallës së parë dhe kërkon lirimin e plotë të çlirimtarëve. Kërkojmë drejtësi dhe angazhim të plotë të shtetit për t’u siguruar atyre mbrojtjen më të mirë të mundshme në procesin e apelit. Kësaj i shërben edhe nisma jonë ligjore për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Nuk pranojmë që kërkesa jonë për drejtësi dhe lirim të plotë të paraqitet para publikut si kërkesë për ulje dënimesh. Një raportim i tillë ngre shqetësime serioze për politikën redaksionale të transmetuesit publik dhe krijon përshtypjen e një shtrembërimi me prapavijë politike.
Kërkojmë nga RTK-ja ta korrigjojë menjëherë kronikën, ta sqarojë saktë qëndrimin e PDK-së dhe të kërkojë falje publike për këtë raportim.













