Mungesa e barnave anti-COVID i detyron pacientët t’i sigurojnë vetë ato

Mbi 300 pacientë të konfirmuar me Covid-19, që gjenden në spitalet dhe klinikat e QKUK-së momentalisht mund të marrin vetëm njërën prej tri terapive për trajtimin e sëmundjes së tyre.
Ndonëse MSH-ja javën e kaluar i hapi rrugë importimit të tri barnave për trajtimin e Covid-19, Remdesevir, Favirapir dhe Hidroksiklorokinës , QKUK-ja ka në dispozicion vetëm këtë të fundit.
Nga Barnatorja Qendrore nuk kanë treguar se edhe për sa kohë mund t’ua ofrojnë pacientëve me Covid-19 këtë bar. Derisa kanë thënë se janë mjaftueshëm të furnizuar me Hidroksiklorokinë, raporton KOHA.
“Ju njoftojmë se Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës është i furnizuar me sasi të mjaftueshme me Hydroxychloroquine. Sa u përket i produkteve të tjera, presim së shpejti, pas aprovimit të ministrit të Shëndetësisë të propozimit të Grupit profesional të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Mjekësore, për zbatimin e masave të veçanta që AKPPM të lëshojë licencë importi pa autorizim të marketingut për produktet për përdorim tek pacientët me Covid-19, si: Remdesivir, Favipiravir, por edhe Hydroxychloroquine”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
Infektologët thonë se kanë parë efekte pozitive tek pacientët, të cilët janë trajtuar me Hidroksiklorokinën.

Lexo edheNga 20 mijë mësimdhënës në Kosovë, ja sa do të testohen për koronavirus
Derisa SHSKUK po pret që të furnizohet me dy barna, ato deri më tani i kanë siguruar vetë pacientët.
Distributorët e kompanive farmaceutike thonë se ka disa ditë që në doganë është bllokuar një sasi e barit Favipiravir për shkak të procedurave burokratike.
Por vendimi i MSH-së që këto barna të importohen pa autorizim marketingu në Kosovë nuk po shihet si zgjidhje adekuate nga ata që monitorojnë proceset e tenderimit të MSH-së dhe QKUK-së.
Edhe në udhërrëfyesin klinik për trajtimin e pacientëve me Covid-19 këto tri barna antivirale rekomandohen për përdorim dhe jepen udhëzime të qarta për zbatim, si dhe shpjegohen efektet e tyre tek pacientët














