Sot ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, ka propozuar që të kthehen nga misioni diplomatik disa nga ambasadorët e Kosovës.
Në mesin e tyre u propozua edhe ajo e SHBA-së, Vlora Çitaku, e cila u tërhoq menjëherë pas kësaj kërkese, njofton Klan Kosova.
Të gjitha këto vendime të Qeverisë së re, analisti politik Artan Muhaxhiri, po i sheh si të pritshme me ardhjen e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet.
“Të gjitha këto ndryshime kanë qenë të pritshme në momentin kur Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet, pra kanë qenë potenciale dhe në momentin kur është bërë qeveria, kanë qenë realiste sepse nuk është e logjikshme që një ministër i Jashtëm të bashkëpunojë në mënyrë të frytshme, posaçërisht në kontekstin e Kosovës me amozitete kaq të mëdha, me njerëz që u takojnë partive të tjera apo që janë emëruar nga partitë e tjera që ndoshta kanë qenë edhe kundërshtare të ashpra, siç është PDK-ja”.
“Duhet bërë një dallim mes ambasadorëve të karrierës dhe atyre politikë. Ata të karrierës janë një kategori tjetër, por ata politikë janë krejtësisht të identifikueshëm me partinë politike. Dhe dihet që PDK-ja ka qenë me një luftë politike të ashpër me Vetëvendosjen për vite të tëra”.
Muhaxhiri në Info Magazine tha se për Konjufcën do të jetë e vështirë gjetja e një ambasadori në SHBA me profil të njëjtë politik siç e kishte Vlora Çitaku. Megjithatë, sipas tij, është e kuptueshme që në këtë shtet të dërgohet një person që Konjufca ka besim.
“Sot nuk ishte i propozuar asnjë nga ambasadorët e LDK-së, gjë që është e pritshme sepse janë në koalicion qeverisës. Mirëpo, ajo që duhet të thuhet është që Konjufca e ka të vështirë ta gjejë një Vlora Çitaku tjetër sepse ajo e ka pasë një kombinim të përvojës, edhe të moshës së re, edhe të njohurive, edhe të përvojës në institucione. Pra, ka pasë shumë elemente që janë përbashkuar në profilin e saj politik dhe nuk shoh ndonjë personazh tjetër të këtij niveli”.
“Kosova ka humbur në këtë moment delikat ku e kemi iniciativën e madhe të Amerikës për dialogun, ndërsa në anën tjetër është viti zgjedhor në Amerikë dhe kjo s’duhet harruar dhe ka shumë elemente që mund ta destabilizojnë pozitën e Kosovës”.
“Në aspektin politik dhe partiak është e kuptueshme që Konjufca do të punojë me ata që i zgjedh vetë sepse e kanë një lloj kredie, por edhe një lloj borxhi ndaj tij në momentin që ai i emëron. Por, në aspektin e përgjithshëm dhe të prezantimit të Kosovës do të jetë e pamundshme që pesha e Çitakut dhe kontaktet diplomatike që ajo ka krijuar në Washington. Koha dhe inercia ka shumë rëndësi sepse është e pamundshme që një ambasador i ri të krijojë kontaktet për dy-tre muaj që një person tjetër i ka krijuar për një kohë të gjatë”.
Vlora Çitaku, Edon Cana, Lirim Grejçevci, Shpend Kallaba, Mimoza Ahmetaj, Ylber Hysa dhe Ramadan Avdiu janë ambasadorët e propozuar që të lënë misionin e tyre. Sipas, Muhaxhirit është normale që nuk janë propozuar ata të LDK-së, por ata që ishin nga PDK-ja apo që kishin qenë të afërt me presidentin Hashim Thaçi.
“Varet prej qëllimeve të ministrit Konjufca, por Kallaba ka qenë nga AKR-ja, Hysa nuk ka pasë ndonjë afilacion politik, s’ka qenë anëtar i ndonjë partie politike edhe pse ka qenë i afërt me presidentin Thaçi. Edhe Grajçevci ka qenë i afërt i Thaçit për vite të tëra, gjithashtu edhe Avdiu ka qenë anëtar i PDK-së”.
“Mirëpo, ekziston edhe ana tjetër e medaljes, veprimi i Çitakut. Ajo krejt lehtë ka mund të mos e pranojë duke thënë se do ta presë vendimin e presidentit. Ajo që ka vendosur ta bëjë është një akt politik që mund ta vendosë në një pozitë të vështirë edhe Konjufcën edhe Qeverinë, sepse ndoshta
Konjufca nuk ka pritur që kaq shpejt të tërhiqet. Ky akt është mjaft politik sepse e tregon edhe peshën politike të Çitakut. Ajo ka dashur t’ia kthejë me një të njëjtën monedhë. Mbetja vakante e postit të ambasadorit në Washington do t’i kalojë Konjufcës”.
“Është një peshë shumë e madhe, LDK i ka raportet më të mira sesa Vetëvendosja. Tani është një problem që është krijuar dhe tani e ka obligim
Konjufca ta zgjidhë me shpejtësi. Nuk duhet as ai as të tjerët që të thonë se jemi në proces. Ai që shkon në Washington do të ketë probleme sepse duhet të përshtatet me klimën politike dhe me departamentin e shtetit”.
“Është ajo fjalia e famshme ‘Elefanti në Dhomë’ dhe ne tani e kemi një elefant të madh në dhomë që mund ta trajtojmë, ta shqyrtojmë prezencën e tij apo ta injorojmë dhe të bëhemi kinse nuk po ndodh asgjë. Është evidente që disa muaj të fundit ka një investim të jashtëzakonshëm edhe nga SHBA-ja, edhe nga BE-ja, edhe nga Gjermania dhe vendet e tjera për përfundimin e etapës finale të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”.
“Në këtë gjendje janë dy mundësi; njëra që të bëhemi kinse s’po ndodhë asgjë dhe me një lloj indiference ta trajtojmë këtë zhvillim të hovshëm që po ndodhë në pikat vendimmarrëse ndërkombëtare dhe tjetra që mund të kërkohet një mobilizim dhe një normalitet i raporteve, posaçërisht në mes të kryeministrit dhe presidentit, në mënyrë që Kosova ta bëjë maksimumin në këtë situatë delikate. Ka presion, investim, energjizim, ka bile edhe data”.
Muhaxhiri gjithashtu tha se kreu i Qeverisë duhet të përfshihet plotësisht në dialog me plane konkrete dhe opsione realiste.
“Qeveria po heziton sepse s’e ka plotësisht të qartë pozicionin e vet. Pra, nuk është e sigurt në raport me këto zhvillimet e jashtme sepse mos të harrojmë që presidenti është prej fillimit dhe gjithë ato batica dhe zbatica i ka përjetuar. Kurti është bërë kryeministër që një muaj. Ajo që tani duhet të bëjë kryeministri është që të jetë aktiv dhe konstruktiv dhe të kërkojë përfshirje 100 për qind të vetën dhe të njerëzve të tij”.