“E imagjinoj çdo ditë kthimin e babit, një hero që kthehet në tokën e tij e në shtetin që e shpalli të pavarur” Rrëfimi i Endritit për babain disa muaj para vendimit të Hagës

Kanë mbetur më pak se një muaj, para se Gjykata Speciale në Hagë të marrë vendim për ish krerët e UÇK-së në Hagë, saktësisht Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Këta të katërt, të cilët janë privuar nga liria tash e pothuajse gjashtë vite, po i afrohen çdo ditë e më shumë ditës së madhe, ku pritet vendim për shpalljen e tyre të pafajshëm apo jo.
Derisa po numërohen ditët deri më 16 shtator, këto ditë po vazhdojnë të jenë të vështira për ta e gjithashtu për familjet e tyre.
Djali i Hashim Thaçit, Endrit Thaçi disa muaj më parë, në një intervistë për Top Channel, ka shprehur mungesën e madhe për babain e tij, kreun e familjes dhe ish-kreun e shtetit.
Ai ka treguar se në çdo moment të jetës së tij, e imagjinon kthimin e babait të tij.
“Sa herë që shkoj për të fjetur apo kur çohem në mëngjes, e imagjinoj kthimin e babait. Imagjinoj një hero që kthehet në tokën e tij, në shtetin që e ka shpallur të pavarur dhe sovran.” – rrëfeu ai, pasi ishte vetëm 21 vjeç kur i ati u ndalua në Hagë bashkë me ish-krerë të tjerë të UÇK-së, me akuza që lidhen me luftën në Kosovë kundrejt forcave serbe.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u arrestuan nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 4 dhe 5 nëntor 2020, pas konfirmimit të aktakuzës nga gjyqtari i procedurës paraprake më 26 tetor të po atij viti. Ata u transferuan menjëherë në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Lexo edheDogana ndalon në Kullë dylbi për pushkë snajper, udhëtari nuk kishte dokumentet përkatëse
Aktakuza i ngarkon katër ish-pjesëtarët e UÇK-së me 10 pika, prej të cilave gjashtë janë për krime kundër njerëzimit – përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë, ndërsa katër janë për krime lufte, përfshirë arrestimin dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen.
Sipas aktakuzës, krimet e pretenduara kanë ndodhur nga të paktën marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë së Veriut. Prokuroria pretendon se viktima ishin qindra civilë dhe persona që nuk merrnin pjesë në luftime, të cilët dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.
Prokuroria pretendon gjithashtu se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale individuale për këto krime, përmes formave të ndryshme të përgjegjësisë penale të përcaktuara në aktakuzë. Të katër i kanë mohuar akuzat dhe çështja është ende para gjykatës, pra bëhet fjalë për akuza dhe jo për një vendim përfundimtar fajësie. Gjykimi nisi më 3 prill 2023, ndërsa deklaratat përmbyllëse u mbajtën në shkurt 2026.
Aktgjykimi është caktuar të shpallet më 16 shtator 2026.
Kjo datë nëse do të përfundoj me lirimin e tyre, do të jetë festë e madhe për familjet e tyre dhe gjithë Kosovën, pasi që do të dëshmohet se lufta e UÇK-së ishte e pastër. /Lajmi.net/













