Mogherini: Evropa ka nevojë për emigracionin, popullsia evropiane po plaket

Evropa ka nevojë për emigrantë për ekonominë e saj dhe do të mund ta zgjidhë krizën e emigracionit vetëm nëpërmjet bashkëpunimit, pa ndërtuar mure, deklaroi shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.
Mogherini hapi një takim Evropë-Afrikë për krizën migratore, para se të merrte pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së diplomave të 89 rojave bregdetare libiane, trajnuar nga anëtarët e Sofjes, operacioni detar evropian kundër trafikantëve.
“Mendoj se evropianët duhet të kuptojnë se ne kemi nevojë për emigracionin për ekonominë tonë duke marrë parasysh plakjen e popullsisë evropiane”, theksoi ajo.
“Nga ana tjetër, Afrika duhet të marrë parasysh koston e trafikimit të qenieve njerëzore, humbjen e jetëve”, shtoi Mogherini, ndërkohë që të paktën 4.500 persona, kryesisht afrikanë, kanë humbur jetën ose janë zhdukur në det vitin e kaluar në përpjekje për të shkuar në Itali.
“Emigracioni mund të menaxhohet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit dhe partneritetit”, nënvizoi Mogherini.

Lexo edheShefi i ri i CIA-s nesër viziton Turqinë
“Ka forca në mbarë botën që ushtrojnë presion për një mendim ndryshe, një mendim të bazuar (…) në ndërtimin e mureve më tepër se partneriteti”, shtoi ajo pa përmendur drejtpërdrejt Presidentin amerikan, Donald Trump.
“Kjo nuk është rrugë evropiane”, nënvizoi kryediplomatja evropiane.
“Evropa nuk i mbyll portat dhe nuk do ta bëjë (… por) ne duhet t’i japim fund tragjedisë në det dhe në shkretëtira. Çdo ditë vazhdojnë të vdesin njerëz”, nënvizoi Mongher.














