Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për çregjistrimin e partisë politike “Lëvizja për Bashkim”.
Kjo parti politike ka paraqitur në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike vendimin dhe dokumentacionin mbështetës për pushimin e të gjitha aktiviteteve politike.
Pas këtij vendimi, Zyra do të njoftojë Bankën Qendrore të Kosovës për bllokimin dhe deri në mbylljen e llogarisë bankare dhe Administratën Tatimore për fshirjen e numrit fiskal.
Në këtë mbledhje, anëtarët e KQZ-së u njoftuan lidhur me ecurinë e zbatimit të planit të aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale të 12 tetorit.
Sipas raportit informues, është duke u zhvilluar periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës dhe që nga fillimi i saj më 28 qershor dhe deri më 9 korrik 2025, janë pranuar 633 kërkesa, prej të cilave 566 janë aprovuar, ndërsa 66 të tjera janë refuzuar, për shkak se nuk kanë bashkangjitur fotografinë e tyre duke mbajtur në dorë dokumentin identifikues.
Po ashtu, anëtarët u njoftuan edhe për periudhën e aplikimit online për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre, e cila ka filluar më 26 qershor dhe do të përfundojë më 13 gusht 2025.
Deri më tani, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) u ka krijuar qasje në platformën për certifikim 47 subjekteve politike të regjistruara, 6 iniciativave qytetare dhe 1 kandidati të pavarur.
KQZ u njoftua se është përzgjedhur operatori fitues në procesin e prokurimit “Auditimi i raporteve financiare të fushatës së zgjedhjeve për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës 2025”.
Së shpejti, auditorët do të fillojnë auditimin e raporteve financiare të subjekteve politike dhe raportet e audituara do të publikohen nga KQZ.