Ministrja Pacolli njofton mbylljen e hotelit dhe restorantit të famshëm “Liqeni i Dukagjinit”: Mbrojtja e ujit të pijshëm nuk ka kompromis

Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka njoftuar se është urdhëruar mbyllja e aktivitetit të hotelit dhe restorantit “Liqeni i Dukagjinit”, i cili vepronte në zonën e mbrojtur të Liqenit të Radoniqit.
Përmes një postimi, Pacolli ka thënë se aktiviteti i këtij biznesi është zhvilluar në kundërshtim me legjislacionin mjedisor dhe me rregullat që përcaktojnë mbrojtjen e burimeve të ujit të pijshëm, transmeton lajmi.net.
Sipas saj, Inspektorati i Mjedisit ka ndërmarrë masën e mbylljes, pasi aktiviteti dyshohet se ka qenë në kundërshtim me Ligjin për Ujërat, Vendimin 09/127 të Qeverisë për përcaktimin e zonave sanitare të Liqenit të Radoniqit dhe akte të tjera nënligjore.
Pacolli ka deklaruar se si pasojë e këtyre shkeljeve është rrezikuar siguria dhe cilësia e ujit të pijshëm.
Ajo ka bërë të ditur se ministria ka kërkuar hetim të plotë për të gjitha rrethanat që kanë mundësuar funksionimin e këtij aktiviteti në zonën e mbrojtur.
Sipas Pacollit, hetimi duhet të përfshijë edhe veprimet e ish-zyrtarëve përgjegjës, për të verifikuar nëse ka pasur keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Lexo edhe25 ditë para 16 shtatorit – “Liria ka Emër” nis nesër “Orën e Pritjes” në Prishtinë, vendoset ekrani me numërimin së prapthi
“Si Ministri, kemi kërkuar hetim të plotë të të gjitha rrethanave dhe përgjegjësve që kanë mundësuar këtë abuzim të hapur. Kjo përfshin edhe hetimin e veprimeve të ish-zyrtarëve përgjegjës, të cilët mund të kenë keqpërdorur detyrën për të lejuar këtë situatë”, ka shkruar Pacolli.
Ministrja në detyrë ka theksuar se mbrojtja e burimeve dhe rezervuarëve të ujit të pijshëm është përgjegjësi institucionale dhe detyrim ligjor.
“Mbrojtja e burimeve dhe rezervuarëve të ujit të pijshëm është obligim ligjor dhe përgjegjësi e jona thelbësore ndaj qytetarëve. Ujërat e Kosovës do t’i mbrojmë me vendosmëri, pa asnjë përjashtim!”, ka përfunduar Pacolli./lajmi.net/












