Bugaqku: Votimi i projektligjit para 72 orësh mund të çojë në shkelje kushtetuese

Njohësi i çështjeve ligjore nga Instituti Demokratik i Kosovës, Vullnet Bugaqku, paralajmëron se Kuvendi mund ta shkelë Rregulloren e punës dhe, për pasojë, Kushtetutën, nëse projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara e voton në lexim të dytë pa kaluar së paku 72 orë nga miratimi në lexim të parë.
“Kjo rregullore thotë se, pasi të votohet ligji në lexim të parë, duhet të kalojnë së paku 72 orë për t’u miratuar në lexim të dytë”, tha Bugaqku për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, Rregullorja e Kuvendit lejon përjashtim nga ky afat vetëm në rast të gjendjes së jashtëzakonshme ose shpalljes së gjendjes emergjente.
Bugaqku rikujtoi se Gjykata Kushtetuese, në dhjetor të vitit 2024, kishte konstatuar shkelje kushtetuese dhe kishte shfuqizuar 12 ligje për shkak të shmangies së afateve procedurale gjatë miratimit të tyre.

Lexo edheVotohet në parim Byroja për Konfiskimin e Pasurisë
Nëse ndryshimet për Specialen miratohen para kalimit të 72 orëve, sipas tij, çështja mund t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese. Një kërkesë të tillë mund ta bëjnë së paku dhjetë deputetë, presidenti ose Qeveria.
Projektligji u miratua të hënën në lexim të parë, ndërsa PDK-ja ka kërkuar që ai të shqyrtohet dhe votohet në lexim të dytë gjatë së njëjtës ditë.












