Ministrja Hoxha kërkon drejtësi për viktimat e krimit
Sot, Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, mori pjesë në “Lansimin e Programit për Kompensimin e Viktimave të Krimit”, aktivitet ky i organizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe i mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë. Në lansimin e këtij programi morën pjesë, Ambasador i SHBA-së në Kosovë, z. Greg Delawie, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Z. Nehat Idrizi, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, si dhe Kryesuesja e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, Znj. Nesrin Lushta.
Në fjalimin e saj, para të pranishmëve ministrja Hoxha tha, “puna dhe procesi për kompensim të viktimave të krimit, ka filluar vite më parë, ku Ministria e Drejtësisë, në Planin Zhvillimor Strategjik për vitin 2012-2016, kishte paraparë që të rregullohet kjo çështje”. Për rregullimin e kësajçështje, Ministria e Drejtësisë ka vepruar në pajtim me mandatin e përcaktuar më legjislacionin në fuqi, fillimisht duke analizuar me hollësi çështjen e kompensimit të viktimave të krimit dhe me pas ka hartuar dhe miratuar Koncept Dokumentin, nga i cili ka rrjedhë Ligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit, i cili është miratuar në vitin 2015. “Programi të cilin po e lansojmë sot, ju garanton mundësi për kompensim viktimave të krimit, përkatësisht viktimave të veprave penale si: vrasja; trafikimi me njerëz; dhunimi; keqpërdorimi seksual i fëmijëve; si dhe veprat penale që bien brenda përkufizimit të dhunës në familje sipas Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje”, tha ministrja Hoxha.
Për fillimin e këtij procesi, Ministrja Hoxha tha, “jam shumë e lumtur që arritëm ta fillojmë këtë proces, jetësimi i këtij programi ka qenë njëri nga përkushtimet e mija si Ministre e Drejtësisë, u jetësua falë kontributit të Ambasadës së Shteteve te Bashkuara të Amerikës në Kosovë, përfaqësuesit e të cilës dua t’i falënderoj përzemërsisht për mbështetjen në këtë fushë, në përgjithësi për mbështetjen e vazhdueshme që po i japin popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”.
“Të flasësh për viktimat e krimit, sigurisht se nuk bën pjesë në temat e lehta. Kjo çështje bëhet edhe më e vështirë duke pasur parasysh faktin se vuajtjet e viktimave të krimit na prekin të gjithë neve si përgjegjës të institucioneve që udhëheqim, por para së gjithash si qytetarë të Republikës së Kosovës”, tha Znj Hoxha.

Lexo edheVeseli: Për demarkacionin të bisedojmë me palën malazeze
Ministrja Hoxha, iu drejtua qytetarëve të Republikës së Kosovës duke u bërë thirrje të gjithëve që të ngritin zërin kundër krimit, kundër të keqes dhe të mos kenë frikë. Zëri i viktimave të krimit le të jetë zëri i të gjithë neve për drejtësi dhe barazi, për vlerat kundër të këqijave, për paqen dhe barazinë kundër krimit dhe padrejtësive.
Në fund të fjalimit të saj, ministrja Hoxha i falënderoi të pranishmit dhe njëkohësit i inkurajoi viktimat e veprave penale, “ e drejta për të parashtruar kërkesë për kompensim nga programi i kompensimit të viktimave po fillon, andaj inkurajoj viktimat e veprave penale të cekura më lartë për të cilat ka përfunduar procesi gjyqësor me aktgjykim të plotfuqishëm nga 30 qershori i vitit 2016, t’i drejtoheni Komisionit për Kompensim të Viktimave”, ndërsa nga anëtarët e Komisionit kërkoi që të kenë parasysh se duke i respektuar viktimat e krimit ne respektojmë vlerat njerëzore të pamohueshme për të cilat shoqëria jonë nuk ka bërë dhe asnjëherë nuk do të bëjë kompromise.














