Ministria e Mbrojtjes ka përzgjedhur operatorin ekonomik që do të ofrojë shërbimet e qethjes për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Sipas njoftimit zyrtar për dhënie të kontratës, të përgatitur më 14 gusht 2026, kontrata i është dhënë operatorit ekonomik “Visar E. Limani B.I.”, me adresë në Fushë Kosovë.
Kontrata është dhënë më 6 gusht 2026, ndërsa nënshkrimi i saj ishte planifikuar për 17 gusht 2026.
Për këtë tender kanë qenë të pranuar gjithsej pesë oferta, ndërsa kriteri i përzgjedhjes ka qenë çmimi më i ulët. Oferta e operatorit fitues ka qenë 9,375 euro, ndërsa tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të lartë ka arritur në 14,962.50 euro.
Shërbimet do të ofrohen në kazermat e FSK-së në Prishtinë dhe Ferizaj, si dhe në kazermat tjera të FSK-së në territorin e Kosovës, sipas nevojës. Marrëveshja kornizë ka kohëzgjatje prej 36 muajsh.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, qëllimi i kontratës është sigurimi i shërbimeve të qethjes për pjesëtarët e FSK-së, në përputhje me specifikimet teknike dhe nevojat e përcaktuara në dosjen e tenderit. Vlera e parashikuar fillimisht për kontratën ishte 15 mijë euro./IndeksOnline/