Më pak se një orë deri në nisjen e seancës për katërshen e UÇK-së

Më pak se një orë ka mbetur deri në nisjen e seancës në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku do të shqiptohet aktgjykimi i shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Seanca pritet të nisë në orën 10:00, ndërsa transmetimi publik në ueb-faqen e Dhomave të Specializuara do të bëhet me 10 minuta vonesë.
Për çfarë akuzohen Thaçi dhe të tjerët?
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – të gjithë figura të larta të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999 – ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, kur u bë publike aktakuza kundër tyre.
Ajo përfshin gjashtë pika për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë, si dhe katër pika për krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje.
Në atë dosje, katërshja përshkruhet si pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, që synonte marrjen dhe ushtrimin e kontrollit përmes frikësimit, keqtrajtimit dhe largimit të kundërshtarëve.
Viktimat e tyre, sipas aktakuzës, përfshinin serbë, romë dhe shqiptarë që nuk mbështesnin UÇK-në.

Lexo edhe“Ora e historisë. Besojmë, ora e lirisë. UÇK – për jetë e mot!” – PDK reagon para verdiktit të Hagës
Së paku 102 persona dyshohet se u vranë, ndërsa më shumë se 20 mbeten të zhdukur.
Prokuroria pretendon gjithashtu se të akuzuarit, për shkak të pozitave të tyre drejtuese, mbajnë përgjegjësi edhe për krimet e kryera nga vartësit e tyre.
Të katër të akuzuait janë deklaruar të pafajshëm për akuzat./REL/












