BallinaLajmeLajmet e FunditMe një finale të fortë përmbyllet WTT Youth Contender Prishtina 2025

Me një finale të fortë përmbyllet WTT Youth Contender Prishtina 2025

Për katër ditë me radhë, Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë u shndërrua në epiqendër të pingpongut botëror, duke mirëpritur sportistë nga e gjithë bota në garat prestigjioze WTT Youth Contender Prishtina 2025.

Të pranishëm në ceremoninë përmbyllëse ishin edhe figura të rëndësishme të sportit në vend, Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, z. Ismet Krasniqi, dhe Drejtori i Drejtorisë së Sportit në Komunën e Prishtinës, z. Kushtrim Mushica të cilët ndanë çmime për finalistët dhe kampionët.

Garat e zhvilluara sollën përballje të forta, emocione të veçanta dhe momente të paharrueshme për sportdashësit dhe pjesëmarrësit.

Gjatë ditës së djeshme u shpallën fituesit në tri kategori: U11, U15 dhe U19.

Kategoria U11

Në këtë kategori dominuan sportistët nga Katari, duke fituar me rezultat të ngushtë 3:2.

Racha Loghraibi zhvilloi një përballje emocionuese me greken Kleio Madesi, e cila ishte shumë afër fitores, por nuk arriti të përmbyste rezultatin.

Në anën tjetër, për Rabeah Al-Kuwari, kjo finale kishte një domethënie të veçantë – pas përpjekjesh të shumta për të arritur një trofe, më në fund arriti të mposhtë Taavi Samaraweeran nga Sri Lanka dhe të sigurojë fitoren e tij të parë në karrierë.

Kategoria U15

Kjo kategori dhuroi spektakël të vërtetë në të dyja konkurrencat.

Te femrat, u përballën dy lojtare nga Taipei – Lin Wan-Rong fitoi bindshëm 3:0 ndaj Ll Jen Yueh.

Ndërsa te meshkujt, Malik Severinsen nga Danimarka mposhti po ashtu me rezultat të pastër 3:0 gjermanin Jeffrey Wei.

Kategoria U19

Në këtë kategori dominoi Republika e Koresë.

Te meshkujt, Kwon Hyuk shënoi një fitore të sigurt 3:0 ndaj italianit Danilo Faso.

Te femrat, Yoo Yerin triumfoi me rezultat 3:1 ndaj Syndrela Das nga India.

Edhe sportistët kosovarë treguan paraqitje të denja dhe përkushtim të madh, ndonëse nuk arritën të sigurojnë ndonjë çmim këtë herë.

Garat vazhdojnë me kategorinë Feeder që nis nga data 3 deri më 7 qershor 2025, ku priten edhe më shumë emocione dhe përballje të nivelit të lartë.

- Advertisement -