Iftari i së premtes ka rezultuar i hidhur për Bahrije Jasharin dhe për më shumë se 30 të tjerë që nga restoranti kanë përfunduar në spital.
Ata janë helmuar pasi kanë konsumuar ushqim, e që dyshimet i kanë se helmimi ka ardhur nga mishi në hotelin “Garden” në Gjilan, raporton KTV.
Aktualisht, numri i pacientëve të shtrirë në klinikën infektive në Spitalin e Gjilanit është 28, por numri i tyre po rritet vazhdimisht.
Njëra nga pacientet, që vazhdon të jetë në gjendje më të rëndë, është Bahrije Jashari.
Ajo thotë se prej orëve të para të së shtunës ka dhimbje të vazhdueshme të barkut, e pa ndërprerë ka vjellje e diarre.
Në repartin e infektives kanë thënë se gjendja e pacientëve është nën kontroll, por shqetësuese është rritja e numrit të të helmuarve.
Ndërkohë, me vendim të kryeprokurorit, Jetish Maloku, është mbyllur kuzhina e restorantit dhe e njëjta do të vazhdojë të jetë e mbyllur derisa të dalin rezultatet e analizave.
Prapa kamerës njëri nga punëtorët e restorantit “Garden”, ka thënë se po shërbehen vetëm pije.
Ai tha se deri tash nuk ka ndodhur asnjëherë të ketë helmim dhe vetëm prej ditës kur ka filluar ramazani për iftar i kanë së paku nga 200 mysafirë.
Ka hedhur dyshime se helmimi mund të ketë ndodhur nga ëmbëlsirat që tha se mund t’i kenë sjellë me vete vetë mysafirët, por megjithatë po presin rezultatet e analizave.