Kurti jep detaje nga projekti i banimit social: 37 milionë euro investim, përfshihen 21 Komuna

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka folur sot në një konferencë për media në lidhje me projektin e banimit social adekuat në Kosovë.
Ai ka thënë se përmirësimi i mirëqenies së familjeve dhe krijimi i kushteve më të mira për jetë është vendosur në qendër të qeverisjes së tyre.
“Një familje që nuk ndihet e sigurtë, duhet ne si shtet të bëhemi strehë për të. Një fëmijë që nuk mund ti ketë mundësitë e barabarta, duhet qe ne të sigurojmë kushtet e përshtatshme banimi. Një shoqëri dhe shtet që nuk e luftojnë padrejtësinë dhe pabarazinë, ngelin edhe familjet e cenueshme më së shumti pa mbështetje”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se qështjen e banimit e kanë trajtuar si pjesë të politikave sociale të tyre duke vënë prioritetin te ata që janë më së shumti në nevojë.
“Kemi ndërmarrë një sërë masash për ti mbështetur familjet, nga shtesat për fëmijë dhe mbështetjen për nënat lehona te veprimet konkrete për mbrojtje sociale dhe përmirësim të standardit të jetesës. Sepse mbështetja për një familje nuk është vetëm një pagesë mujore, por edhe mundësia që ajo familje të ketë strehim të përshtatshëm, të sigurtë dhe dinjitoz”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se projekti është rezultat i punës së përbashkët të institucioneve qendrore të Kosovës dhe komunave të Republikës, me mbeshtetjen edhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë.
“Qeveria i ka siguruar financim përmes marrëveshjes së kredisë me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës, në vlerë prej 25 milionë eurove. Kemi ndarë edhe 12 milionë euro nga buxheti i Republikës, dhe kemi siguruar një fond të përgjithshëm prej 37 milionë eurove. Ajo që e bënë më të rëndësishëm këtë investim është destinimi i tij, në familje, dinjitet dhe në të ardhmen e fëmijëve”, ka thënë Kurti.

Lexo edheTym i madh nga oxhaku, banorët alarmojnë për ndotjen, KEK: Periudhë e shkurtër, kërkojmë mirëkuptim
Ai ka thënë se ky projekt po kalon nga planifikimi në fazën konkrete të zhvillimit.
“Gjithsej 21 komuna do të jenë pjesë e këtij projekti, dhe qindra familje do të përfitojnë në ndërhyrjet që do të zhvillohen. E falenderoj Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës, komunat dhe të gjithë që kanë punuar”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se tani po avancon edhe projekti tjetër i banimit të përballueshëm dhe social.
“Ky projekt, aktualisht është në fazën e implementimit në Pejë, Istog, Podujevë dhe Gjilan. Punimet po zhvillohen në 7 lote, në përputhje me kontratat e nënshkruara dhe planet dinamike të aprovuara për secilin projekt. Niveli i realizimit deri në këtë fazë është 35% e për lote të caktuara shkon deri në 55%. E drejta për jetë, banim, barazia si pikënisje mbesin vlera nga të cilat nisemi e shkojmë me tëvetmin qëllim që shteti të jetë për krejt sepse krejt jemi për shteti”, ka shtuar ai. /Lajmi.net/












