Djali i Rexhep Selimit, Ares Selimi, merr pjesën në nisjen “Orën e Pritjes” në Prishtinë

Në aktivitetin e sotëm të platformës “Liria ka Emër”, ku nisi numërimi së prapthi drejt 16 shtatorit kur Haga jep verdiktin për ish-krerët e UÇK’së, mori pjesë edhe Ares Selimi, djali i Rexhep Selimit.
Aresi ishte pjesë e grupit që, në një moment simbolik, shtypi butonin për aktivizimin e “Orës së Pritjes”, duke nisur zyrtarisht numërimin e ditëve, orëve, minutave dhe sekondave deri më 16 shtator.
Krahas tij, butonin e aktivizimit të orës e shtypën edhe Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, nënkryetarja e Prishtinës Besianë Musmurati, përfaqësuesi i platformës “Liria ka Emër” Ismail Tasholli dhe kryetari i PDK-së Bedri Hamza.
Ky moment u përcoll me emocione nga të pranishmit, ndërsa prania e djemve të Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit i dha një simbolikë të veçantë nisjes së numërimit.

Lexo edheRamush Haradinaj del me propozim: Hashim Thaçi për president!
“Ora e Pritjes”, e vendosur në Bulevardin “Nëna Terezë” në Prishtinë, simbolizon pritjen për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin dhe do të vazhdojë numërimin së prapthi deri më 16 shtator.
Aktiviteti është pjesë e organizimeve të platformës “Liria ka Emër” nën mesazhin “Kosova po pret”.












