Mbi një kilogram marihuanë në Brezovicë, gjykata cakton një muaj paraburgim

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore dhe ka caktuar një muaj paraburgim ndaj të pandehurit N.B., i dyshuar për veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
Sipas gjykatës, rasti ka ndodhur më 19 gusht 2026, rreth orës 23:30, në Brezovicë të Shtërpcës. Policia ishte njoftuar nga qytetarët se në një vilë të pabanuar ishte gjetur substancë e dyshuar narkotike.
Pas daljes në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë vërejtur një person duke ikur drejt malit. Pas ndjekjes, ata kanë ndaluar N.B., i cili ishte duke lëvizur me një skuter.
Gjatë kontrollit, sipas gjykatës, janë gjetur substanca të dyshuara narkotike, ndërsa gjatë kontrollit të një vile të një familjari të tij është gjetur edhe sasi tjetër marihuane.
Në total janë sekuestruar 1 kilogram e 63 gramë marihuanë, si dhe dy peshore digjitale, një thikë metalike dhe një çantë krahu. Sipas dyshimeve të organit të akuzës, këto mjete kanë qenë të destinuara për përgatitjen dhe ndarjen e substancës narkotike me qëllim të shitjes.

Lexo edheEkstradohet në Shqipëri një kosovar i kërkuar nga Interpoli
Pas shqyrtimit të provave dhe shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake, Ilir Bytyqi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale dhe ka aprovuar kërkesën për paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji.
Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese, e cila nuk e pezullon ekzekutimin e tij.












