Policia e Kosovës, në bashkëpunim me zyrtarët Doganor, mesnatën e së enjtes ka ndaluar të futeshin në territorin e Kosovës nga Shqipëria mbi 2 milionë euro fals.
Një shtetas i Shqipërisë me veturë TAXI po transportonte bashkë me pasagjerin F.B, i lindur më 1980, mashkull, shtetas i Kamerunit, me leje qëndrimi në Francë, edhe paratë.
“Gjatë kontrollit të përbashkët nga zyrtarë të të dy institucioneve, në bagazh të automjetit në një çantë, në brendësi të saj janë gjetur paketime të ndryshme kartëmonedhash të dyshuara si të falsifikuara me vlerën e: 500, 200, 100 dhe 50 euro. Po ashtu, së bashku me to është gjetur edhe letër e paketuar dhe e prerë në dimensione që i përgjigjen masës së kartëmonedhave: 500, 200, 100, 50 euro”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Pas numërimit të kartëmonedhave të falsifikuara, rezulton të jenë: dy milion e njëqind e tridhjetë e një mijë (2.131.000) euro, si dhe dy mijë e shtatëqind e tridhjetë e tre (2733) copë letër e bardhë që do të përdorej për përpunim e kartëmonedhës 500 eurosh.
“Policia si provë materiale ka konfiskuar kartëmonedhat e dyshuara si të falsifikuara, si dhe tetë (8) shishe me preparate kimike që përdoren për falsifikim, tri (3) folija alumini, një pako doreza plastike, dy shiringa, dy pasaporta të Kamerunit, një patentë shoferi dhe një leje qëndrimi për në Francë”.
Me urdhër të prokurorit të shtetit – Departamenti i Krimeve të Rënda në Prizren dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.