Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj, e ka cilësuar ndeshjen me Spanjën si provë jo vetëm për futbollistët, por edhe për tifozët, duke qenë se mund të ndodhë që ndaj një ekipi të tillë të humbësh siç humbi Kosova me Kroacinë.
“Ne nuk frikësohemi nga asnjë skuadër. Shumë njerëz do vijnë në stadium për të ndjekur Moratën dhe Ramosin, por ne duhet ta kthejmë vëmendjen te çunat tanë. Kemi treguar që i krijojmë vështirësi ekipeve të forta, por na duhet dhe pak fat sepse mund të bllokosh Moratën për shembull por të vijnë 3-4 kundërshtarë të tjerë dhe nuk i mban dot të gjithë. Në këtë ndeshje nuk testohet vetëm mbrojtja, por gjithë ekipi dhe bashkë me tifozët, pasi siç i ndodhi Kosovës me Kroacinë mund ta humbim dhe ne kontrollin e ndeshjes. Gjithsesi jam optimist se do ia dalim”, është shprehur Mavraj transmeton ATSH.
Shqipëria e pret sonte në “Loro Boriçi” Spanjën nga ora 20:45.