Marrëveshja SHBA-Iran, lajmërohen naftëtarët e Kosovës

Rritje rekorde e çmimeve të naftës në Kosovë pritet të marrë fund. Kjo pas zhvillimeve globale dhe një marrëveshje paqeje 2 javore mes SHBA-së dhe Iranit.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, në një prononcim për IndeksOnlinen ka theksuar se tashmë trendi i rënies ka nisur në tregjet ndërkombëtare.
“Sot çmimi në bursë është duke u ulur dhe kjo pritet të reflektohet shumë shpejt edhe në Kosovë”, ka deklaruar Berjani.
Aktualisht, çmimet në tregun vendor janë: dizeli 1.89 euro për litër, ndërsa benzina 1.46 euro për një litër.
Megjithatë, ai ka theksuar se nuk mund të jepen afate të sakta për uljen e çmimeve në tregun vendor.

Lexo edheQytetari njofton se iu vodhën dy makina pune nga garazhi në Zveçan
“S’mundemi me paragjyku se kur do të ulen çmimet te ne, sepse krejt varet prej bursës”, është shprehur ai.
Sipas tij, ulja e çmimeve lidhet me zhvillimet ndërkombëtare dhe pritjet për marrëveshje që po ndikojnë në stabilizimin e tregut global të naftës.
Lehtësimi i tensioneve mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani po konsiderohet një ndër faktorët kryesorë që po shtyn çmimet drejt rënies në bursat botërore./Indeksonline/














