Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci i shoqëruar nga shefi i Kabinetit, Gani Sylaj kanë pritur në takim Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, me të cilin kanë diskutuar për projektet të përbashkëta që do të kryhen në Komunën e Drenasit gjatë këtij viti dhe viteve në vazhdim.
Kryetari i Komunës, Lladrovci ka falënderuar ministrin e Mjedisit, Ferat Shala për takimin dhe ka kërkuar nga minstria që ai udhëheq të mbështes në projektet e vazhdueshme për ruajtjen e ambientit dhe koordinimin e projekteve për vitin 2017, që janë nga Ministria e Mjedisit në interes të përgjithshëm për qytetarët e Komunës së Drenasit.
Ministri Ferat Shala, ka uruar Lladrovcin në zgjedhjen e kryetarit të Komunës së Drenasit, dhe ka njoftuar për projektet të cilat janë të planifikuara për këtë vit dhe viteteve në vazhdim. Më theks të veçant, ministri Shala njoftoi kryetarin Lladrovci se këtë vit do të filloj faza e tretë e ndërtimit të lumit “Drenica”, nga Drenasi III deri të shkollat e mesme, dhe finalizmi i projektit të deponisë tranzite për grumbullimin dhe klasifikimin e mbeturinave.
Ministri Shala po ashtu ka njoftuar se është në fazën e përfundimit të projektit zbatues për rregullimin e shtratit të lumit “Drenica”, në krahun tjetër nga fshati Nekoc deri në fshatin Poklek i Ri, dhe ka kërkuar nga Kryetari Lladrovci që të identifikoj dhe të filloj me procedurat e shpronësimit të parcellave përgjatë lumit “Drenica”, në menyrë që projekti të përfundoj me kohë. Nga ministri Shala, kryetari Lladrovci ka kërkuar po ashtu mbështetje edhe në planifikimin hapësinor, të hartave zonale, planet rregulluese dhe trajtimin e ujërave të zeza.
Kryetari Lladrovci ka njoftuar ministrin Shala, për gjendjen e ambientit në Komunën e Drenasit dhe ka kërkuar mbështetje për financimin e deponive për grumbullimin e mbeturinave urbane dhe interte.
Ndërsa ministri Shala është zotuar se kërkesat e Komunës së Drenasit do të shqyrtohen me prioritet që ato të gjejnë zbatueshmeri.