Dyshime për kufizim të konkurrencës në tenderin 450 mijë euro për asfaltimin e rrugëve në Zubin Potok

Tenderi për asfaltimin e rrugëve lokale në Komunën e Zubin Potokut, me vlerë të parashikuar prej 450 mijë eurosh,ka dyshime për kritere kufizuese të konkurrencës. Në këtë procedurë ka konkurruar vetëm një grup operatorësh ekonomikë, ndërsa dy kompani që kundërshtuan kriteret e tenderit përmes kërkesës zyrtare për rishqyrtim është refuzuar nga Komuna.
Procedura e prokurimit me numër 645-26-9182-5-2-1 është iniciuar nga Kuvendi Komunal i Zubin Potokut më 21 tetor 2026 dhe ka të bëjë me projektin për asfaltimin e rrugëve lokale në këtë komunë.
Sipas dokumentacionit të tenderit, vlera e parashikuar e kontratës është 450 mijë euro, ndërsa në procesin e hapjes së ofertave figuron vetëm një grup i operatorëve ekonomikë, i përbërë nga “Plus Trade L.L.C”, “Eurotrans SH.P.K” dhe “Gursel & Bajram Sylejmani”.
Ky grup ka paraqitur ofertë në vlerë prej mbi 447 mijë eurosh, shumë kjo shumë afër vlerës maksimale të parashikuar për këtë kontratë.
Pikërisht pjesëmarrja e vetëm një grupi të operatorëve ekonomikë dhe vlera e ofertës kanë ngritur shqetësime lidhur me mënyrën se si janë hartuar kriteret e dosjes së tenderit.
Ekzistojnë dyshime se disa prej kritereve të vendosura mund të kenë qenë kufizuese për operatorët e tjerë ekonomikë, duke ua vështirësuar ose pamundësuar pjesëmarrjen në këtë aktivitet të prokurimit.
Lexo edheKomisioni Hetimor për rastin e Arlinda Zekajt nis intervistimet javën e ardhshme, kryetari nënshkruan ftesat e para
Pikërisht numri i vetëm i ofertuesve dhe vlera e ofertës kanë ngritur pikëpyetje lidhur me kriteret e përcaktuara në dosjen e tenderit dhe mundësinë që ato të kenë kufizuar konkurrencën mes operatorëve ekonomikë.
Komuna refuzoi kërkesën për rishqyrtim të operatorit ekonomik
Një tjetër element që e bën këtë procedurë më shqetësuese është fakti se kriteret e tenderit janë kundërshtuar nga operatorë ekonomikë.
Sipas dokumentacionit të siguruar, kompania “AMARI GFC SH.P.K.”, dhe kompania Urban O.P kanë paraqitur kërkesë për rishqyrtim pranë Komunës së Zubin Potokut, duke kundërshtuar kriteret e vendosura në dosjen e tenderit dhe duke pretenduar shkelje të dispozitave të Ligjit për Prokurimin Publik. Në kërkesën e tyre, kanë ngritur pretendime që lidhen me nenet 6, 7, 27, 28, 51 dhe 69 të këtij ligji, përkatësisht me ekonomicitetin, barazinë në trajtim, mosdiskriminimin, përmbajtjen e dosjes së tenderit, specifikimet teknike dhe aftësinë teknike e profesionale. Megjithatë, më 28 tetor 2026, Divizioni i Prokurimit i Komunës së Zubin Potokut ka marrë vendim për refuzimin e kërkesës si të pabazuar, duke arsyetuar se kriteret janë përcaktuar në përputhje me legjislacionin dhe se ato janë të domosdoshme për realizimin e projektit. Komuna ka vendosur që procedura e prokurimit të vazhdojë.
Në arsyetimin e saj, Komuna ka dhënë sqarime për disa prej kërkesave të tenderit, përfshirë makineritë e nevojshme për asfaltim, pajisjet teknike, stafin profesional dhe certifikatat ISO, duke pretenduar se këto kërkesa janë të domosdoshme për realizimin e punimeve sipas standardeve të kërkuara.



