Lladrovci në Cyrih, merr pjesë në ndeshjen mes miqve të Ronaldinhos dhe Del Pieros
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka marrë pjesë mbrëmë në një ndeshje spektakli në stadiumin “Letzigrund” të Cyrihut, ku u përballën ekipet e miqve të futbollistëve legjendarë Ronaldinho dhe Alessandro Del Piero.
Pjesëmarrjen në këtë ngjarje e ka bërë të ditur vetë Lladrovci përmes një postimi, ku ka treguar se ishte i ftuar nga Kushtrim Musliu, kreator dhe pronar i brendit të orëve “Helfer Geneve”, transmeton lajmi.net.
Në këtë organizim, sipas Lladrovcit, morën pjesë edhe të ftuar shqiptarë nga të gjitha trojet, ndërsa ndeshja u organizua nga Marcel Nalyan dhe Roberto Pinto, të cilët kanë lindur dhe janë rritur në Cyrih.
Lladrovci e ka cilësuar këtë ngjarje si një festë të futbollit dhe nostalgjisë, e cila, sipas tij, nderoi gjeneratat e emigrantëve shqiptarë që ndërtuan jetën në Zvicër.
“ Ishte festë e futbollit dhe nostalgjisë që nderonin prindërit dhe gjyshërit emigrantë që kishin ndërtuar jetën në Zvicër, që bashkonin kultura dhe gjenerata të ndryshme përmes futbollit”, ka shkruar ai.

Lexo edheZidane krahason yllin e PSG-së me veten:“Te ai shoh një pjesë të vogël të vetes sime kur isha lojtar”
Në postimin e tij, kryetari i Drenasit ka vlerësuar edhe suksesin e Kushtrim Musliut në ndërtimin e brendit “Helfer Geneve” në tregun zviceran të orëve, ku konkurrenca është e madhe.
Në fund, Lladrovci e ka falënderuar Musliun për ftesën, duke i uruar suksese në zhvillimin e mëtejmë të brendit të tij në tregun ndërkombëtar./lajmi.net/



