Liridon Leci reagon pas incidentit në “Dueli Sportiv”: Bashkëpunimin me TV Dukagjinin e ndërpreva vetë

Pas njoftimit të TV Dukagjinit për ndërprerjen e bashkëpunimit me Liridon Lecin, ka reaguar edhe vetë analisti sportiv, i cili ka dhënë versionin e tij lidhur me zhvillimet pas emisionit “Dueli Sportiv”, të dielën mbrëma, më 11 tetor.
Përmes një reagimi publik, Leci ka mohuar që televizioni t’ia ketë ndërprerë kontratën, duke pretenduar se vendimin për përfundimin e bashkëpunimit e kishte marrë vetë, drejtpërdrejt gjatë emisionit.
“Dua të sqaroj se bashkëpunimin me televizionin e kam ndërprerë vetë, mbrëmë, drejtpërdrejt në emision. Nuk ka qenë televizioni ai që ma ka ndërprerë kontratën”, ka deklaruar Leci.
Ai gjithashtu ka mohuar se ka sulmuar apo ka pasur për qëllim të fyejë dhe denigrojë ndonjë person, duke theksuar se nuk dëshiron që deklaratat e tij të interpretohen në mënyrë të shtrembëruar.
“Gjithashtu, dua të theksoj se nuk kam sulmuar askënd dhe as nuk kam pasur për qëllim të fyej apo të denigroj ndonjë person, e aq më pak ndonjë femër”, thuhet në reagimin e tij.

Lexo edheLiridon Lecin e shkarkojnë nga emisioni “Dueli Sportiv”, sulmoi fizikisht ish-futbollisten Aliu
Leci u ka bërë thirrje mediave dhe publikut që të mos përhapen informacione që ai i konsideron të pavërteta, duke kërkuar që rrethanat të vlerësohen mbi bazën e fakteve.
Reagimi i tij vjen pasi TV Dukagjini njoftoi për ndërprerjen e menjëhershme të bashkëpunimit me të, pas një incidenti të raportuar mes Lecit dhe të ftuarës Edonisa Aliu, ish-futbolliste, pas përfundimit të emisionit “Dueli Sportiv”.
Në reagimin zyrtar, drejtori i Informacionit në TV Dukagjini, Dibran Istrefi, bëri të ditur se me rastin po merren organet e rendit dhe të drejtësisë, ndërsa televizioni shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të plotë me institucionet përkatëse.
Deri më tani, palët kanë paraqitur qëndrimet e tyre lidhur me ngjarjen, ndërsa rrethanat e plota të incidentit mbeten për t’u sqaruar nga institucionet kompetente./Indeksonline/














