Reperi i njohur amerikan Lil Wayne është fejuar në mënyrë të fshehtë, duke u larguar përkohësisht nga jeta “single”, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Sipas burimeve të afërta me artistin, Lil Wayne i ka propozuar martesë më herët gjatë këtij viti një vajze në të 20-at, me origjinë nga Indiana, SHBA. Fejesa, sipas raportimeve, është mbajtur plotësisht larg vëmendjes së publikut dhe mediave.
Reperi 42-vjeçar ka pasur më herët disa lidhje të njohura në publik. Ai ka qenë i fejuar me modelen La’Tecia Thomas, me të cilën u nda në vitin 2020, si dhe më herët me këngëtaren Nivea, me të cilën ka edhe një djalë. Po ashtu, ai ka një tjetër djalë me Lauren London, ish-partneren e reperit të ndjerë Nipsey Hussle, si dhe ka pasur marrëdhënie të njohura me reperen Trina.
Pavarësisht historikut të tij të bujshëm në dashuri, Lil Wayne ka zgjedhur që vitet e fundit ta mbajë jetën private larg syrit të publikut, gjë që sipas burimeve shpjegon edhe faktin pse fejesa ka qëndruar e fshehtë për një kohë të gjatë.
Deri më tani, përfaqësuesit e artistit nuk kanë dhënë ndonjë koment zyrtar lidhur me lajmin.