Librat më të shitur në Panairin e 18 të Librit në Prishtinë
Në ditën e fundit të Panairit të 18-të të Librit në Prishtinë, janë shpallur edhe librat më të kërkuar.
Në kategorinë e librave në gjuhën shqipe, në këtë panair më së shumti janë shitur librat “Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit” nga Veton Surroi, “Rrebelimi i Lulus” nga Albatros Rexhaj, “Shkëlqim dhe tmerr” nga Bekim Fehmiu, Veli Karahoda me librin “Serpenti dhe hija” dhe “Puthësi i paligjshëm” shkruar nga Azem Deliu.
Daut Demaku, pjesë e organizimit të Panairit të Librit, ka shpallur edhe librat më të kërkuar nga letërsia e huaj.
“Muzeu i Pafajësisë” nga Orhan Pamuk, “Origjinalet” nga Adam Grant, Noel Malcolm me “Agjentët Perandorakë”, Umberto Eco me “Numri zero” dhe “Kupidet kokulur” nga Jennie Dorny janë librat më të shitur nga letërsia e huaj, gjatë gjashtë ditëve sa zgjati Panairi.

Lexo edheSot ndahen çmimet për kinematografi
Demaku po ashtu ka treguar sot se përafërsisht rreth 38 mijë deri në 40 mijë vizitorë ka numëruar Panairi i sivjetmë.
“Kërkesat janë plotësuar në përgjithësi, me përjashtim të letërsisë për fëmijë e cila ka mbetur më pak e plotësuar në Panairin tonë. Megjithatë kemi pasur promovime të shumta, i kemi festuar përvjetorët dhe viteve tjera duam ta ndërkombëtarizojmë këtë Panair” ka thënë mes tjerash Demaku në ditën e fundit të Panairit të Librit në Prishtinë. /KultPlus.com














