Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, gruas që u vra nga bashkëshorti i saj Naim Murseli në bashkëpunim me Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën, ka shkruar për situatën e vështirë në të cilën familja e tyre janë gjendur që nga vrasja e motrës së tij.
Ai ka thënë se askush nuk është i përgatitur që të marrë lajmin që vajza, motra apo familjarja e tyre është vrarë, dhe kështu ka thënë se i ka gjetur vrasja e Liridonës.
Ademaj ka thënë se pikëllimi dhe mërzia që i ka kapluar nuk mund të maten, pasi ato të pushtojnë dhe ta thyejnë zemrën.
Ai ka falenderuar të gjithë ata që kanë reaguar dhe i kanë qëndruar pranë, shkruan lajmi.net.
“Faleminderit mediave, gazetarëve dhe gazetareve që raportuan për rastin tonë. Unë, si Leonard, nuk kam pasur përvojë me media dhe më vjen keq nëse ndonjëherë nuk kam mundur të përgjigjem, por jam falënderues që më keni kuptuar mua dhe familjen time. Gazetarët në Kosovë kanë treguar nivel të lartë të etikës në raportimin e rastit tonë dhe për këtë i falënderojmë. Faleminderit publikut, të cilët me mijëra mesazhe e komente nga e gjithë bota na mbështetën, na dhanë forcë dhe na inkurajuan të luftonim për drejtësi. Faleminderit hetuesve, policisë, prokurorisë dhe gjykatës për punën që kanë kryer dhe profesionalizmin e tyre. Faleminderit avokatit tonë, Leutrim Syla. Përfaqësimi i tij profesional para institucioneve, udhëzimet e tij për ne si familje dhe kujdesi personal që ka treguar, na kanë dhënë siguri të madhe dhe për këtë e falënderojmë shumë. Ky rast ka kërkuar shumë punë dhe Leutrimi ka punuar ditë e natë që ky rast të përfundojë sa më mirë. Faleminderit Flutura Kusarit, e cila nga dita e parë kur është vrarë Liridona ka qëndruar me ne, na ka udhëzuar, na ka ndihmuar dhe mbi të gjitha i ka qëndruar afër nënës tonë. Shumë njerëz mendojnë që Flutura është familjare e jona. Ajo nuk është, por i kemi thënë shpesh që ti je bërë anëtare e familjes tonë”, ka shkruar Ademaj.
Ai e ka dhënë edhe një mesazh.
“Kosova duhet të bëhet një vend ku asnjë çikë, asnjë grua nuk duhet të maltretohet, sulmohet apo vritet. Femicidi duhet të marrë fund dhe ne, si familje Ademaj, jemi në dispozicion që t’i bashkohemi çdo kauze dhe iniciative që ndihmon në ndaljen e femicidit”, ka shkruar Ademaj.
Për vrasjen e Liridona Ademajt, me burg të përjetshëm është dënuar Naim Murseli dhe Granit Plava, ndërsa me 30 vite burgim Kushtrim Kokalla. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: