Lekaj: Qeveria do të rrëzohet, kjo është punë e kryer

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) pret që me mocionin e mosbesimit do të arrihet deri të rrëzimi i qeverisë PDK-LDK. Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Pal Lekaj ka thënë se AAK-ja bashkë me partitë tjera opozitare do ta shtyjnë përpara këtë mocion.
“Besojmë që tashmë të gjithë e kanë kuptuar se s`jemi ku shkojmë tutje me modelin qeverisës Mustafa-Veseli. Kjo qeveri duhet të shkojë sa ma parë nga pushteti dhe prandaj konsiderojmë e besojmë që do të duhej e do të ketë sukses mocioni. Roli i Aleancës por edhe i tërë opozitës është shumë pozitiv dhe i rëndësishëm për të shtyrë përpara këtë mocion”, ka deklaruar Lekaj për “Indeksonline”.
Ai ka deklaruar se koalicioni i tanishëm qeverisës gjendet “nën ethe” meqë ka kohë që i ka harruar qytetarët e saj. Sipas Lekajt, ky është argumenti që tregon se vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

Lexo edheDemonstruesit godasin me vezë Marine Le Pen (Video)
“Spektri politik tashmë është në atë që quhet ethe para elektorale dhe shihet që edhe partitë e pushtetit po tentojnë të grabisin ditët e tyre të fundit në pushtet për të rehatuar vetveten por e kanë harruar Kosovën dhe qytetarët. Prandaj edhe ky është një argument shtesë që është e nevojshme që t’ua rikujtojmë disave se ku është Kosova e ku qytetarët e saj”, është shprehur ai.
Ndryshe, “Indeksonline” sot ka raportuar se iniciativa e mocionit e nisur nga Nisma për Kosovën ka mbledhur sot 41 nënshkrime të deputetëve që janë pro rrëzimit të qeverisë. Pritet që mocioni me nënshkrimet e mbledhura të procedohet në Kuvend, kurse kohën se kur do të ndodhë kjo do ta caktojnë krerët e Nismës dhe AAK-së.














