Kryeministri Haradinaj beson se LDK-ja do t’ia votojë buxhetin, ndërsa partia e Isa Mustafës e quan “maskaradë” projektligjin që shefi i Qeverisë planifikon ta nxjerrë në votim në një seancë të jashtëzakonshme javën e ardhshme.
Kryeministri Ramush Haradinaj mban shpresa se Lidhja Demokratike do ta votojë projektligjin për buxhetin. Mirëpo, LDK-ja deklarohet prerazi kundër votimit të tij.
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë për Gazetën Express se koalicioni qeverisës po bën pazare me Partinë Socialdemokrate, duke shfrytëzuar buxhetin e shtetit, dhe se janë kategorikisht kundër votimit të projektligjit, duke e cilësuar si maskaradë situatën e krijuar.
“LDK-ja nuk e voton buxhetin. Fatkeqësisht, koalicioni PAN po e përdor buxhetin e qytetarëve për pazare politike me PSD-në, vetëm e vetëm për të qëndruar në pushtet. Me këto pazare politike vetëm sa zgjatet agonia institucionale që ka kapluar vendin. LDK-ja nuk bëhet pjesë e kësaj maskarade, e cila duhet marrë fund sa më parë”, thënë Mustafa, duke cituar qëndrimin e shprehur më parë nga shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.
Mustafa thotë se LDK-ja pret që Qeveria të bjerë sa më shpejt, në mënyrë që, siç shprehet ai, të ndalen dëmet që po i shkakton.
E, kryeministri Haradinaj beson se opozita do ta ndihmojnë miratimin e projektligjit të buxhetit për vitin 2019.
Ai, përveç se thotë që buxhetin do t’ia votojë PSD-ja sepse kësaj të fundit po ia plotëson kushtet e vëna, beson që edhe LDK-ja ka arsye që do ta çojnë në votimin e projektligjit.
“Besoj po, do të jetë edhe LDK-ja. Ata kanë arsye tjera për shkak se deputetët e tyre kanë propozuar amendamente për temat që i kanë me rëndësi, ose për komunat ku qeveris LDK-ja”, ka thënë Haradinaj në një intervistë për Syri.net.
“Besoj se do ta votojë LDK-ja buxhetin, është reale. Ata e bëjnë për amendamentet e veta, nuk e bëjnë për shkak të qeverisë, të Aleancës apo timin si kryeministër”, ka shtuar kreu i Qeverisë.
Haradinaj ka thënë se të enjten e ardhme planifikon që të miratohet projektligji i buxhetit me një seancë të jashtëzakonshme që rikthen deputetët në Kuvend pas një pauze të gjatë.
Projektligji i buxhetit është votuar në parim më 21 dhjetor nga koalicioni qeverisës dhe PSD-ja. /Express/