Një pjesë e lagjes Arbëria në Prishtinë po përballet me mungesë të ujit të pijshëm që nga mbrëmja e së mërkurës.
Banorët e kësaj lagjeje kanë raportuar për IndeksOnline se furnizimi me ujë është ndërprerë pothuajse plotësisht tash e sa ditë.
IndeksOnline ka kontaktuar zëdhënësen e KRU Prishtina, Arjeta Mjeku megjithese e njejta ka potencuar se po punohet në këtë drejtim pa dhënë një datë se kur pritet të rikthehet furnizimi.
“Arsye është shpenzimi enorm, ka rënë niveli i rezeruareve. Po shpresojmë që sonte përmisohet diçka”, tha Mjeku për IndeksOnline.
Paraprakisht, ky institucion ka lëshuar një njoftim në rrjetet sociale, derisa bënë thirrje për kursim të ujit të pijës.
Njoftimi i plotë:
“Të nderuar konsumatorë!
KRU ‘Prishtina’ është duke trajtuar ujë me kapacitete maksimale në burimet Batllavë, Badoc dhe Shkabaj.
Konsumi i ujit, përfshirë edhe keqpërdorimet alarmante, ka arritur në pikën e kuqe.
Lusim qytetarët që jetojnë në zonat e ulëta që ta shpenzojnë ujin në mënyrë sa më të arsyeshme, pasi ai nuk po arrin fare në pikat e larta.”
Tutje, kompania theksoi se kontrolli dhe ndëshkimi i keqpërdoruesve të ujit është intensifikuar si asnjëherë më parë.
Banorët e Arbërisë shpresojnë në një zgjidhje të shpejtë, ndërkohë që kërkohet solidaritet qytetar për të parandaluar përkeqësimin e situatës./IndeksOnline/