Një shofer në shtetin amerikan të Wisconsin-it ka shkaktuar kaos në një zonë ndërtimi pasi vendosi të anashkalojë sinjalistikën rrugore dhe të futet në një segment të mbyllur autostrade.
Ngjarja ndodhi në një rampë në Qarkun Milwaukee, ku ekipet e ndërtimit kishin hedhur beton të freskët dhe kishin bllokuar qarkullimin me barriera dhe tabela paralajmëruese.
Sipas autoriteteve të transportit në Wisconsin (WisDOT), drejtuesi i një kamionçine nuk iu bind shenjave “rruga e mbyllur”, por zbriti nga automjeti dhe largoi vetë njërën prej barrierave për të vazhduar rrugën.
Pak çaste më vonë, automjeti u fundos në betonin ende të lagësht dhe mbeti i bllokuar në mes të zonës së punimeve.
Për nxjerrjen e kamionçinës u desh ndërhyrja e ekipeve përkatëse, ndërsa operacioni zgjati disa orë dhe shkaktoi vonesa të konsiderueshme në projektin rrugor.
Zyrtarët thanë se veprimi i shoferit jo vetëm që dëmtoi betonin e sapo shtruar, por rrezikoi seriozisht sigurinë e punëtorëve dhe të vetë drejtuesit të mjetit.
Pas incidentit, WisDOT rikujtoi se barrierat dhe sinjalistika vendosen për të mbrojtur jetën dhe për të shmangur aksidente në zonat aktive të ndërtimit. Autoritetet paralajmëruan se injorimi i tyre mund të sjellë pasoja të rënda materiale dhe ligjore.