Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Kosova e Re, Vesel Makolli ka thënë për Gazeta Blic, që deputeti Labinot Tahiri vazhdon të jetë pjesë e AKR-së, mirëpo për shkak që partia e tyre nuk ka grup parlamentar, ai i është bashkuar AAK-së, në mënyrë që ta ketë më të lehtë t’i japë propozimet e tij.
Gjithashtu, ai theksoi që AKR nuk është informuar paraprakisht nga deputeti për bashkimin e tij në grupin parlamentar të AAK-së.
“Ne nuk kemi pasur informacione, ai nuk ka kaluar në AAK. Janë këtu dy terme, është bashkimi i grupit për shkak të procedurave, ai përmes grupit parlamentar ndoshta mundet me i shpreh mendimet e veta për shkak se ne nuk kemi grup parlamentar. Ne kemi tentuar ta bëjmë, mirëpo nuk kemi mundur. Tahiri vazhdon të jetë në AKR, nuk ka kaluar në AAK. Vetëm i është bashkuar grupit parlamentar gjatë punës në Kuvend. Ai është aktiv dhe dëshiron që mendimet apo propozimet e tij të jenë aktive dhe ai pa grup parlamentar e ka pasur të vështirë”, ka sqaruar Makolli.
Për bashkimin e tij me grupin parlamentar të AAK-së, është deklaruar edhe vetë Labinot Tahiri. I cili ka konfirmuar se i është bashkuar këtij grupi.
“Po, kam kaluar në grupin parlamentar të AAK-së, mirëpo s’jam larguar nga AKR-ja”, ka thënë ai.
Kurse tani Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka gjithsej 13 deputetë.
Ahmet Isufi, Daut Haradinaj, Teuta Haxhiu, Shkumbin Demaliaj, Time Kadrijaj, Blerim Kuçi, Rasim Selmanaj, Donika Kadaj – Bujupi, Emilija Redžepi, Muharrem Nitaj, Gani Dreshaj si dhe Bekë Berisha, janë anëtarët e AAK-së./Gazeta Blic./