Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën përmes një konference për media bëri të ditur se ka tërhequr kërkesën e bërë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me mënyrën e vazhdimit pas bllokimit të konstituimit të Kuvendit, për shkak se gjyqtar raportues për kërkesën e saj ishte caktuar gjyqtari Radmoir Laban.
Sipas presidentes Osmani, gjyqtari serb i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, përbën rrezik kombëtar për rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Osmani ka deklaruar se ky gjyqtar, sipas raporteve të institucioneve të sigurisë të viteve 2018, 2021 dhe 2024, është identifikuar si person që paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës dhe ka qenë i përfshirë në veprimtari që cenojnë rendin kushtetues të vendit.
“Kërkesa është tërhequr pas konfirmimit se gjyqtar raportues është caktuar gjyqtari Radmoir Laban, për të cilin instituicionet e sigurisë në vitet 2018, 2021 dhe 2024 kanë dorëzuar informata zyrtare se ky gjyqtar paraqet rrezik për sigurinë kombëtare dhe se i njëjti është i angazhuar kundër rendit kushtetues së Republikës së Kosovës”, ka thënë Osmani para mediave.
Por kush është Radmoir Laban?
Radomir Laban është gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, emëruar më 9 gusht 2018, me mandat nëntëvjeçar, nga ish-presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi.
Thaçi fillimisht kishte refuzuar t’ia dorëzonte dekretin atij në maj 2018 derisa ai u shqyrtua nga autoritetet gjyqësore, por ai e bëri këtë disa muaj më vonë.
Sipas institucioneve të sigurisë (AKI), në vitet 2018, 2021 dhe 2024, janë mbledhur informacionet se Laban paraqet rrezik për sigurinë kombëtare dhe për rendin kushtetues të Kosovës.
Për këtë Presidentja Osmani e informoi Ministrinë e Drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese, si dhe institucione të tjera relevante.
Labani kërkohet nga autoritetet gjyqësore serbe për të vuajtur një dënim me gjashtë vjet burg sepse u dënua si pjesë e të ashtuquajturës “mafia doganore”, një grup i dyshuar për pranim dhe dhënie ryshfeti, abuzim me detyrën zyrtare dhe falsifikim dokumentesh.
Emri i tij ka qenë në listën e të kërkuarve serbe që nga viti 2012, ndërsa ai ka qenë në listën e të kërkuarve të Interpolit që nga viti 2014.
Në vitin 2017, Serbia i dërgoi një kërkesë EULEX-it për arrestimin e Labanit, por misioni i sundimit të ligjit i Bashkimit Evropian deklaroi se nuk kishte mandatin për të kryer një arrestim të tillë.
Labani u emërua gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese me propozim të Listës Serbe, partisë më të madhe serbe në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.
Në korrik të vitit të kaluar, Laban kishte kaluar procedura e emërimit për noter, por Ministria e Drejtësisë kishte refuzuar emërimin e tij, pasi mori informacion në lidhje me integritetin e tij nga Agjencia e Inteligjencës së Kosovës (AKI).
Sipas raportimeve, kryetarja e mëparshme e Gjykatës, Gresa Caka, nuk e kishte caktuar gjyqtarin Laban si gjyqtar raportues në asnjë çështje kaq të rëndësishme, por kryetarja e re e Gjykatës Kushtetuese ka vepruar ndryshe duke i caktuar atij çështjen më të rëndësishme, e cila ka të bëjë me mbrojtjen e rendit kushtetues, por edhe me krijimin e një precedenti për të ardhmen në lidhje me krijimin e institucioneve.
Më 22 korrik, presidentja Osmani iu drejtua Kushtetueses me një kërkesë për interpretim lidhur me pasojat juridike që lindin në rast se Kuvendi i ri nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar prej 30 ditësh.