Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari- Lila edhe njëherë ka bërë të qartë se nuk do të futet në ndonjë listë të ndonjë partie për zgjedhjet e parakohshme të cilat do të mbahen më 6 tetor, shkruan Gazeta Blic.
Ajo ka thënë se edhe për kundër ofertave që kishte pasur që të futet në listë pa emrin e partisë Alternativa, një gjë të tillë nuk e ka pranuar.
Kusari- Lila në një përgjigje për Gazetën Blic ka shtuar se këtë po e bën vetëm për faktin e ruajtjes dhe ngritjes së identitetit të partisë.
“Do të garojmë si parti e vetme edhe pse kemi pasur oferta mirëpo, po duam që ta ruajmë dhe natyrisht rrisim edhe identitetin e Alternativës. Prandaj, jemi përgjigjur se në kushtet që të jemi në një listë pa shenjat e Alternativës dhe emrin e Alternativës nuk garojmë fare dhe duke pasur parasysh ato kushte do të garojmë të vetëm në logon e Alteranitës”, tha Kusari- Lila për Gazetën Blic.
Para përfundimit të datës së regjistrimeve të koalicioneve, e para e Alternativës, Mimoza Kusari- Lila ka pasur edhe disa takime me zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje për një koalicion të mundshëm LVV – Alternativa.
Burime të Gazeta Blic nga subjekti i Albin Kurtit patën thënë se kreu i VV-së, Albin Kurti ia ka bërë me dije një kusht Mimoza Kusarit, nëse kjo e fundit dëshiron “koalicion” me VV-në.
“E thjeshtë dhe e qartë, Albin Kurti i ka thënë Mimoza Kusarit se nëse ajo dëshiron të jetë pjesë e VV-së duhet të shkrihet në subjektin tonë , e jo siç ka kërkuar Kusari- Lila koalicion parazgjedhor LVV- Alternativa. Pra VV nuk e pranon Kusari- Lilan si pjesë të Alternativës, por vetëm si shkrirje në VV”, ka thënë burimi i gazetës.
Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lëvizja Vetëvendosje, diskutuan edhe të premten për një marrëveshje për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet e 6 tetorit, por, përpjekjet dështuan për shkak të mospajtimeve rreth kandidaturës për postin e kryeministrit.
Në mesnatën e së premtes përfundoi afati për regjistrimin e koalicioneve dhe të dyja këto parti sikurse edhe Partia Demokratike e Kosovës, shkojnë në zgjedhje të vetme.
Deri në përfundim të afatit, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë regjistruar dy koalicione parazgjedhore të partive politike shqiptare: koalicioni i Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës Kosova e Re dhe ai ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate si dhe dy koalicione të partive politike të pakicave kombëtare.
Kosova do të votojë më 6 tetor në zgjedhjet e parakohshme që pasuan dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili u thirr për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme në Hagë e cila trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë.
Këto zgjedhje shihen të rëndësishme për Kosovën për shkak të sfidave me të cilat pritet të përballet qeveria e re, posaçërisht me çështjen e tarifave ndaj mallrave serbe dhe ripërtëritjen e bisedimeve te pezulluara me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, që është edhe kusht për integrimet evropiane të tyre./Gazeta Blic