Në periudhën e zgjatur të mandatit të tij si kryeministër, Albin Kurti mblodhi në Prishtinë diplomatët e vendit në një konferencë ambasadorësh. Në kohën kur partnerët ndërkombëtarë të Kosovës kanë shpeshtuar thirrjet për krijim të institucioneve legjitime që do të mund të adresonin sfidat edhe të politikës së jashtme, Kurti hodhi lëvdata për qeverinë e tij me pretendimin se pati shtrirjen më të madhe diplomatike nëpër botë për herë të parë në historinë e vendit. Këto deklarata të tij u përballen me kundërshti e kritika për pozitën aktuale të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Gazeta Express
“Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është i vetmi dikaster në qeverinë tonë që ka gjithsej 53 degë të ndryshme të shpërndara në gjashtë kontinente, përveç Antarktikut”, tha kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në nisje të fjalimit të tij drejtuar diplomatëve kosovarë të cilët u kthyen në vendin e tyre për edicionin e 8-të të Konferencës së Ambasadorëve.
Në fjalimin që do t’i jepte merita të mëdha vetes e vartëses së tij, Donika Gërvalla, për udhëheqjen në politikën e jashtme, Kurti s’e çoi nëpër mend fare faktin që kjo ministri aktualisht është duke punuar pa legjitimet të plotë dhe se partnerët e vendit po kërkojnë institucione fuqiplote për të shtyrë përpara synimet e Kosovës për konsolidim të shtetësisë.
“Kosova sot gëzon përfaqësimin dhe shtrirjen diplomatike më të gjerë në historinë e saj. Jemi krenarë që gjatë mandatit tonë e kemi zgjeruar praninë tonë diplomatike në nivele të papara, duke hapur një ambasadë të re në Kolumbi, një ambasadë të re në Malajzi, një mision në Poloni dhe një mision të posaçëm në Selinë e Shenjtë. Këto momente të rëndësishme forcojnë zërin e Kosovës në skenën globale dhe thellojnë partneritetet e saj në të gjithë botën”.
Ky fragment i fjalimit Kurtit i pëlqeu më shumë, prandaj e ndau edhe në X në gjuhën angleze.
Megjithatë, prezenca e Kosovës nëpër botë – që e promovoi Kurti si më të gjerën në historinë – iu kontestua Kurtit nga një deputet i betuar i PDK-së.
Artan Behrami tha se Kosova ka pak diplomatë në shtete ku Serbia investon më shumë për të lobuar kundër interesave të saj.
Duke përmendur edhe kohën sfiduese për diplomacinë, Behrami mori shembull Hagën ku po zhvillohet gjykimi i krerëve të UÇK-së, duke thënë se “Kosova ka dy-tre diplomatë, Serbia ka 20-30 diplomatë” për të shtyrë përpara narracionin kundër UÇK-së.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës fatkeqësisht nuk është prezente në botë në kohën më të rëndësishme të Kosovës ku Serbia po përjeton një krizë shumë të madhe, ku një qeveri atje është para rrëzimit. Ne nuk kemi diplomatë për të kapitalizuar këtë. S’kemi diplomatë për të luftuar narracionin e Serbisë për ndërrim të historisë që po ndodh në Hagë. Kjo po ndodh se në krye të kësaj ministri janë njerëz jokompetentë”, tha ai në Klan Kosova.
Ai akuzoi edhe kryediplomatën në detyrë të Kosovës, Donika Gërvalla, se i ka ndihmuar narrativës serbe rreth UÇK-së.
“Në këto pesë vjet diplomacia serbe nuk ka pasur pse të jetë aktive se këtë punë e ka bërë Donika Gërvalla për mrekulli”, tha ai, duke shtuar se ajo “ia ka shtruar terrenin Serbisë”.
“Duke shndërruar politikën e jashtme në një temë të politikës së brendshme. Çka mban mend prej Donika Gërvallës? E mban mend jo çka ka thënë në Berlin, as në Washington, as në New York, por e mban mend çka i ka thënë Ramush Haradinajt në Pejë, çka i ka thënë UÇK-së nëpër televizione. Gërvalla është marrë me politikë të brendshme”.
Sidoqoftë, i vetëdijshëm u tregua Kurti për diplomacinë serbe dhe luftën e saj diplomatike kundër shtetit të Kosovës.
Këtë ai ua përmendi ambasadorëve në konferencë ku shtoi se “kjo konferencë po mbahet në një moment veçanërisht sfidues për botën dhe rajonin tonë”.
“Me miliona të shpenzuara për lobimin dhe komunikimin botëror, lufta propagandistike e Serbisë, në bashkëpunim të ngushtë me Federatën Ruse, po egërsohet nga dita në ditë, duke shpërndarë në mënyrë sistematike, në çdo skaj të botës, mesazhe të rrejshme kundër Republikës sonë”.
Kurti bëri me dije se hendeku me Serbinë s’mund të mbyllet dhe bëri fajtore financat për këtë, ndërsa diplomatët i inkurajoi me ndjekje të “kauzës së drejtë”.
“Në këtë betejë, nuk kemi mundësi që ne ta mbyllim hendekun financiar me Serbinë, prej shumë miliona eurosh, në fushën e lobimit dhe të komunikimit në masë. Mirëpo, ajo që kemi ne dhe që kurrë nuk mund të ketë Serbia, është një kauzë e drejtë dhe një përkushtim i palëkundur për paqe dhe siguri në rajon dhe më tej. Kjo kauzë dhe ky përkushtim, bashkë me punën dhe pasionin tuaj si përfaqësues të Republikës sonë, nuk mund të blihen, me asnjë çmim dhe nuk mund ta kenë asnjëherë askund ndonjë zëvendësim”.