Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot në seancën që po mbahet në Kuvendin e Kosovës për Ditën Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, ka nderuar të gjithë ata që kanë përjetuar dhe mbijetuar këtë krim të rëndë ç’njerëzor.
Ai ka thënë se sot qëndrojmë me respekt e dhimbje të përbashkët dhe me zotimin se nuk do të lejojnë asnjëherë që kjo e vërtetë të harrohet.
“Sot nderojmë Marte Tunajn, Vasfije Krasniqin e Shyhrete Tahirin që me guxim dëshmuan të vërtetën mbi krimet e Serbisë në Kosovë. Me kurajë të jashtëzakonshme, Ramadan Nishori theu heshtjen dhe u bë zëri i parë publik i burrave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës. Andaj, kjo ditë është edhe thirrje për mbarë shoqërinë që të mbështes dhe gratë e burrat e tjerë të mbijtuar që vazhdojnë të përballen me paragjykime në kërkim të të drejtave që atyre iu takon”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se heshtja dhe stigma që ende rëndojnë mbi viktimat e këtij krimi lufte, vazhdojnë të pengojnë mijëra të mbijetuar që të kërkojnë drejtësi dhe mbështetje.
“Kjo heshtje nuk duhet të jetë më barrë e juaja, ajo është përgjegjësi e jona si shoqëri ta thyejmë atë, ajo është detyra jonë si shtet e shoqëri të ofrojmë përkrahjen tonë maksimale me empati dhe respekt të thellë njerëzor”, ka thënë Kurti.
Kurti u shpreh se derisa Kosova nderon viktimat e krimeve të luftës, siç tha, Serbia vazhdon të shërbejë si strehë për fshehjen e kriminelëve.
“Kosova nderon viktimat e krimeve të luftës, e Serbia vazhdon të shërbejë si strehë për fshehjen e kriminelëve dhe mohimin e krimeve. Sot Kuvendi ynë i Republikës së Kosovës nderon viktimat e dhunës seksuale të përdorur si armë lufte, e Kuvendi i Serbisë, pak ditë më parë u shëndrrua në hapësirë për falsifikim institucional të së vërtetës dhe glorifikim të njësive përgjegjëse për krime lufte në Kosovë” , tha ai./Lajmi.net/