Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje Ismail Kurteshi, ka bërë të ditur se kanë pranuar ankesa nga anëtarët e partisë se ditëve të fundit ish-sekretari i kësaj partie Dardan Molliqaj ka organizuar takime ilegale me anëtarë të këtij subjekti politik duke iu thënë atyre se do të bëjnë një “çarje të madhe” në organizatë, duke aluduar edhe për krijimin e një partie të re.
Sipas Kurteshit, në këto takime, sipas aktivistëve, janë përmendur shifra që kanë të bëjnë me dëmet që ai synon t‘ia shkaktojë Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
“Secili ka të drejtën e fjalës së lirë, por kjo e drejtë dhe pozicionet që njerëzit mbajnë brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk mund të keqpërdoren duke përhapur dezinformata brenda Lëvizjes, me qëllim të dobësimit të saj. Veprime e tilla të dëmshme janë të papranueshme dhe si të tilla duhen të ndalen menjëherë”, ka thënë ai përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin shoqëror “Facebook”.
Reagimi i plotë:
Ankesat e Aktivistëve
Disa aktivistë dhe anëtarë kryesie të Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Ditëve të fundit po ankohen se ish Sekretari Organizativ, Dardan Molliqaj po organizon takime ilegale me aktivistet e Lëvizjes..
Në këto takime, sipas aktivistëve, ai po pretendon se ai, dhe përkrahësit e tij, do të bëjnë një “çarje të madhe” në organizatë, duke aluduar edhe për krijimin e një partie të re. Në këto takime, sipas aktivistëve, janë përmendur shifra që kanë të bëjnë me dëmet që ai synon t‘ia shkaktojë Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Secili ka të drejtën e fjalës së lirë, por kjo e drejtë dhe pozicionet që njerëzit mbajnë brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk mund të keqpërdoren duke përhapur dezinformata brenda Lëvizjes, me qëllim të dobësimit të saj. Veprime e tilla të dëmshme janë të papranueshme dhe si të tilla duhen të ndalen menjëherë.
Në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, angazhimi dhe puna e organeve vendimmarrëse dhe organizimi i aktiviteteve po vazhdojnë, në përputhje me Statutin dhe rregulloret e brendshme, si dhe po respektohet demokracia e brendshme dhe parimet tona politike. Përkrahja e madhe për Lëvizjen që po ndodh këto ditë është garancia më e mirë se asnjë manipulim nuk mund ta ndalë rritjen dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, prandaj çfarëdo përpjekje për dobësimin e Lëvizjes Vetëvendosje është e kot.
Ismajl Kurteshi
Sekretar Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje