Lidha Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje si dhe koalicioni AAK- PSD kanë bërë të ditur se kanë filluar përgatitjet për përpilimin e listave me emrat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 6 tetorit, shkruan Gazeta Blic.
Zëdhënësi për Informim nga LDK, Besian Mustafa ka thënë për Gazetën Blic se gjatë ditës së sotme presin edhe propozimet e degëve të LDK-së me emrat me të cilët ato duan të hyjnë në garë.
“Kemi afat deri më 6 shtator kurse sot fillojmë. B besoj që edhe sot përfundojnë propozimet prej niveleve të degëve dhe pastaj mblidhemi në nivel qendror dhe e përpilojmë listën finale”, tha Mustafa.
Edhe nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se që nga e shtuna kanë publikuar edhe thirrjet për aktivistët dhe anëtarët të cilët duan të kandidojnë për pozitën e deputetit. Zëdhënësi për Informim i VV-së, Arlind Manxhuka tha për Gazetën Blic se pas pranimit të kandidaturave secila qendër e VV-së është e obliguar që të mbledh Këshillin e Qendrës për të votuar numrin e kandidatëve.
“Që të shtunën e kemi publikuar thirrjen për aktivistët dhe anëtarët e Lëvizjes që të dorëzojnë kandidaturat e tyre për ata që janë të interesuar të kandidojnë për deputetë të Kuvendit të Kosovës për këtë legjislaturë. Pas përfundimit të këtij afati secila qendër e jona është e obliguar që të mbledh Këshillin e Qendrës (organin më të lartë të qendrës) për të votuar numrin e kandidatëve që do të futën në listë për deputetë. Pas kësaj procedure do të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes ku do të votohet edhe lista jonë përfundimtare. Të gjitha këto procedura demokratike Lëvizja do t’i kryej përbrenda afateve të parapara nga KQZ”, tha Manxhuka.
Ndërsa, nga koalicioni AAK- PSD thanë se tashmë janë vetëm në përpilim të programit qeverisës. Ish- shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi i tha Gazetës Blic se lista e përgatitur nga koalicioni do të jetë solide dhe e gatshme për kohën e paraparë.
“Jemi në përgatitje të programit po ashtu edhe të listës zgjedhore po është vetëm fillimi. Kemi kohë dhe ne do ta kemi një listë solide prandaj edhe nuk po ngutemi”, tha Isufi.
Deri më tani disa nga anëtarët e kryesive të degëve të partive politike veçse kanë shpallur kandidaturat e tyre për pozitën e deputetit.
Para disa ditësh, kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti zbuloi edhe disa prej emrave të cilët do të garojnë për pozitën e deputetit nga radhët e partisë së tij.
“Ne kemi kandidatë si Visar Ymeri, Dardan Molliqaj, Dardan Sejdiu, Driton Çaushi, Shqipe Pantina, Dukagjin Gorani, Faton Topalli, Sali Salihu, Besa Baftiu, Aida Dërguti. Të gjithë këta janë deputetë që nuk kanë qëndruar kot në Kuvend si dhe Frashër Krasniqi”, ka treguar Ahmeti
Ai ka thënë se me përjashtim të një apo dy deputetëve aktual, tjerët do të jenë në listën e PSD-AAK, ku PSD do të ketë 25 vende.
Përveç PSD-së, edhe PDK dega në Drenas ka zbuluar emrat e kandidatëve për deputetë.
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, në kohën kur është caktuar dita e mbajtjes së zgjedhjeve 6 tetori, ka përmendur diplomatin e kësaj komune, Petrit Hajdarin, i cili së bashku me Ferat Shalën dhe Sejdi Hoxhën, sipas tij, do të jenë kandidatura serioze për të marrë besimin e qytetarëve të kësaj ane, për t’i përfaqësuar në parlament.
E nga AAK kandidatët të cilët deri më tani janë zyrtarizuar e që vijnë nga komuna e Istogut janë: Donika Kadaj-Bujupi, Gani Dreshaj dhe Bekë Berishë.
Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës dega në Podujevë është dega e vetme nga kjo parti e cila ka zgjedhur kandidatët për pjesëmarrje në legjislaturën e ardhshme të vendit.
Kjo degë e cila udhëhiqet nga nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu ka përzgjedhur si kandidatë Fidan Rekaliun, Nexhmi Rudari, Mirsad Kamerolli dhe Visar Hoti.
Kandidatë tjerë që pritet të vendosen, e që vijnë nga rajoni i Llapit, do të jenë edhe ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe ish deputetja, Doruntinë Maloku.
Të dy këta do të jenë kandidatë që do të vendosen nga kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kurse, nga Kaçaniku dega LDK, deri më tani janë zyrtarizuar dy kandidatë, Lutfi Zharku dhe Xhevdet Quni
LDK në këto zgjedhje, do të garojë me Vjosa Osmanin, si kandidate për kryeministre, teksa kjo parti, sikurse të tjerat, do të kenë mundësinë që t’i ketë 110 kandidatë në listën e tyre zgjedhore.
Më 6 tetor, Lëvizja Vetëvendosje do të kandidojë me të parin e partisë, Albin Kurtin teksa ngjashëm do të veprojë edhe PDK e cila ka përzgjedhur kryetarin e partisë, Kadri Veselin si kandidat për pozitën e kryeministrit.
Nga koalicioni AAK-PSD, kandidat për këtë pozitë do të jetë, Ramush Haradinaj ndërsa, nga koalicioni Nisma- AKR- PD, kandidat do të jetë, Fatmir Limaj./Gazeta Blic