Kryeprokurori i Prishtinës në darkë me njerëzit e LDK-së
I kontaktuar nga KALLXO.com kryeprokurori Imer Beka tha se nuk ka qenë darkë por “vetëm fotografi e çastit”.
Disa javë pasi u rizgjodh në krye të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, kryeprokurori Imer Beka është parë duke darkuar në ambientet e një restoranti me Sami Hamitin dhe njerëz të afërt me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Gjatë kësaj ndeje është shkrepur edhe një fotografi, e cila është publikuar në rrjetin social “Facebook”.
I kontaktuar nga KALLXO.com kryeprokurori Beka tha se nuk ka qenë darkë por vetëm fotografi e çastit.
“Unë nuk kam darku. Unë kam qenë në një tavolinë tjetër por kam shkuar ju kam folur aty dhe kemi bërë fotografinë”, tha Beka.
Kryeprokurori i Prishtinës për më tepër thotë se as nuk i njeh mirë ata me të cilët u fotografua. Arsyeja, sipas tij, pse shkoi aty ishte daja.
“Unë i njoh si fytyra publike por kam shkuar dhe ju kam folur se e kam pasë dajën aty ulur”, tha Beka.
Lexo edheNikolic ka një kërkesë për Trump rreth Kosovës
Beka tha se krejt procesi nuk ka zgjatur as edhe një minutë.
Por, për dallim nga kryeprokurori i Prishtinës, opinion tjetër ka personazhi tjetër i fotografisë, Sami Hamiti.
Sami Hamiti është këshilltar komunal nga radhët e LDK-së në Asamblenë e Prishtinës dhe anëtar i LDK-së në KQZ.
“Nuk është ai prokuror pasdite. E kam mik qe 30 vite. Qitet njeri pas orës katër ku del edhe han bukë, edhe në bukë jeni duke na ndjekë. Lëreni atë punë dhe mos u bëni qesharakë. Njeriu para luftës ka punuar te presidenti Rugova dhe prej atëherë njihem me të dhe e kam mik shumë të mirë jashtë pozitës që e ka dhe jashtë politikës”, tha Hamiti.















